Në tubimin e radhës kundër qeverisë, protestuesit kanë zgjedhur një formë ironike për të përcjellë mesazhet e tyre politike, duke shpalosur pankarta me kritika ndaj disa prej figurave të mazhorancës dhe deputetëve socialistë.
Pankartat, të cilat protestuesit i kanë cilësuar si “5 kërkesat e tyre”, kishin në fokus emra të njohur të Partisë Socialiste, duke përfshirë Taulant Ballën, Belinda Ballukun dhe deputetë të tjerë të shumicës parlamentare.
Në njërën prej tyre shkruhej: “Kërkesa 1: Taulant Balla të heqë dorë nga ekonomia dhe të fillojë punë ndërtimi.”
Ndërsa një tjetër pankartë i kushtohej deputetes socialiste, Zegjine Çaushi, ku thuhej: “Kërkesa 2: Zeqineja të rifillojë shkollën nga klasa e parë, por këtë herë me prezencë të detyrueshme.”
Mesazhe ironike pati edhe për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku. Në një prej pankartave shkruhej: “Belinda Balluku të lëshojë shtëpitë me qira, 300 mijë lekë në muaj dhe agjenti i shitjeve të jetë Edi Rama.”
Pankartat u bënë një nga elementët më të spikatur të protestës, ku qytetarët vijuan të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë dhe përfaqësuesve të saj.
