Ministri Blendi Gonxhja ndodhet në Komisionin e Ligjeve, ku foli, mes të tjerash, në lidhje me koncertin e Kanye West, i cili u zhvillua pak kohë më parë në Tiranë dhe për të cilin qeveria shqiptare pagoi 4.3 milionë euro.
Ministri u shpreh se fatura, në fakt, u faturohet protestuesve, sepse ishte faji i tyre që koncerti mund të dështonte.
“Koncerti u kthye në një mulli ere, ndaj të cilit u kthye çdo protestues i asaj pjese që po anatemonte objektivin e gabuar. I sabotuar, i minuar, i vënë në listën e objektivave të një proteste, ku në disa aspekte linte shumë për të dëshiruar. Flas për pjesën e dhunshme dhe bullizuese, që nuk ishte e vetëdijshme për dëmet që mund t’i shkaktonte vendit dhe për dëmet që mund të maten edhe me koston e faturës së këtij akti normativ.
Nëse do të kishte një NIPT ajo pjesë e protestës, kjo faturë i takonte atyre, në fakt, asaj pjese të protestës që, nga padija, keqdashja apo injoranca, krijoi këtë situatë… për të garantuar që ngjarje të këtij niveli të mos dështojnë, edhe nëse në vend zhvillohen akte të tilla të paparashikuara”, tha ai.
