Një vatër masive zjarri është regjistruar në fshatin Halil, në Fushë-Krujë, ku flakët kanë përfshirë një grumbull të madh mbeturinash, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Denoncimi është bërë në redaksinë e BalkanWeb nga një banor, i cili e përshkruan situatën si alarmante dhe shprehet se zjarri ndodhet shumë pranë banesave.
“Gjendje alarmante. Pamja flet vetë, s’ka nevojë për koment. I kemi rreth 300 metra afër shtëpisë,” – shkruan qytetari në denoncimin e tij.
Sipas banorëve, tymi i dendur dhe flakët përbëjnë rrezik jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e familjeve që jetojnë në afërsi, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve për shuarjen e zjarrit dhe marrjen e masave për të parandaluar përhapjen e tij.
Ndërkohë në vendngjarje ka shkuar dhe Aulon Kalaja, i cili ka filmuar pamje në orët e para të mëngjesit të asaj që e quan katastrofë mjedisore.
