Pas një sezoni me ulje-ngritje, Rafael Leão kishte nevojë për një Botëror të madh për të rikthyer vlerën e tij në tregun europian. Megjithatë, sulmuesi portugez nuk arriti të ishte protagonisti që pritej me fanellën e Portugalisë. Ai e mbylli turneun me vetëm një gol ndaj Uzbekistanit dhe një asist kundër Kroacisë, në të vetmen ndeshje ku u aktivizua si titullar, duke grumbulluar vetëm 158 minuta në pesë sfida.
Një paraqitje që nuk ka mjaftuar për të zgjuar interesin e klubeve të mëdha të Premier League apo La Ligës, destinacionet e preferuara të lojtarit. Si pasojë, edhe Milani e ka më të vështirë të realizojë një transferim me vlerën që synon.
Aktualisht, pista më konkrete mbetet ajo që të çon në Turqi. Galatasaray është gati t’i ofrojë Leãos një kontratë me mbi 10 milionë euro në sezon, por pengesa kryesore mbetet marrëveshja me Milanin. Klubi turk propozon huazimin e lojtarit, formulë që është refuzuar menjëherë nga drejtuesit kuqezi.
Milani është i gatshëm të diskutojë vetëm nëse marrëveshja përfshin detyrim blerjeje dhe një pagesë të konsiderueshme që në fillim, rreth 20 milionë euro menjëherë dhe 30 milionë të tjera pas një viti. Deri tani, Galatasaray nuk ka hedhur këtë hap dhe e ardhmja e Leãos mbetet ende e paqartë.
Për klubin italian, shitja e portugezit është thelbësore edhe për të financuar afrimet e reja. Në listën e objektivave janë mbrojtësi Axel Disasi dhe talenti grek Konstantinos Karetsas, megjithëse të dy operacionet mbeten të komplikuara. Ndërkohë, Milani pret të krijojë të ardhura edhe nga largime të tjera të mundshme, ndërsa merkatoja po hyn në fazën vendimtare.
Koha po kalon, sezoni i ri është pranë dhe drejtuesit kuqezinj e dinë se për të forcuar skuadrën duhet më parë të zhbllokojnë daljet. Në këtë moment, emri që mund të ndryshojë rrjedhën e merkatos së Milanit mbetet ai i Rafael Leãos.
