Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një prej studiuesve më të rëndësishëm shqiptarë në fushën e arkitekturës tradicionale dhe trashëgimisë kulturore. Akademik Riza lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër dhe gjatë gjithë karrierës së tij profesionale i kushtoi jetën dokumentimit, studimit dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë materiale shqiptare.

Ai punoi për shumë vite si studiues, pedagog dhe specialist pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e qendrave historike dhe banesave tradicionale shqiptare. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Qyteti–Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor për vlerat arkitektonike dhe historike të këtij qyteti, si dhe “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), monografi e botuar nga Akademia e Shkencave që trajton tipologjinë dhe veçoritë e banesave popullore shqiptare.

Gjatë veprimtarisë së tij shkencore, Emin Riza botoi 16 monografi, disa prej tyre në bashkëpunim me studiues të tjerë, si dhe mbi 130 artikuj shkencorë në revista të specializuara, ku trajtoi arkitekturën popullore, strukturat tradicionale dhe qytetet historike shqiptare. Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave shkencore “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore kombëtare.

REAGIMI
Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale.
Ai lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër. Me një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, akad. Riza ka dhënë një kontribut të spikatur në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale shqiptare.
Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Qyteti–Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor mbi trashëgiminë ndërtimore të Gjirokastrës, banesat karakteristike dhe vlerat e saj si qytet-muze, si edhe “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), monografi e botuar nga Akademia e Shkencave, e cila trajton tipologjinë e banesave popullore shqiptare me qoshk dhe vlerat e tyre arkitektonike.

Akademik Riza ishte autor i 16 monografive, pesë prej tyre në bashkautorësi, si edhe i 134 artikujve shkencorë të botuar në revista të specializuara, ndër to “Studia Albanica”, “Arkitektura popullore shqiptare” dhe “Monumentet”, ku trajtoi tipologjitë e banesave popullore, strukturat ndërtimore dhe trashëgiminë e qyteteve historike.
Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, duke nxitur botimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore shqiptare. Akademik Riza ishte nismëtar i Ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe kryesues i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, ç’ka kontribuoi në përfshirjen e këtyre qyteteve në Listën e Trashëgimisë Botërore. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit. Ai ishte gjithashtu anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një vlerësim i rëndësishëm i autoritetit të tij shkencor në mbarë hapësirën shqiptare.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Komisioni i Përhershëm i Trashëgimisë Kulturore i shprehin familjes, miqve, komunitetit akademik dhe bashkëpunëtorëve ndër vite të akademik Emin Rizës ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe njerëzore dhe shkencore.
Homazhet do të mbahen sot në ambientet e agjencisë funerale Alba 2000, pranë Medresesë. Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet në orën 16:00, në varrezat e Tufinës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb