Itinerari i shkurtër i reformës administrative-territoriale ka mbërritur në stacionin e projekt-idesë së uljes së numrit të bashkive, duke e çuar procesin te dilema e lojës së kumbulleshave: 10, 20 më pak- po sa?
Ajo që e bën edhe më të vështirë këtë ekuacion me shumë të panjohura është fakti se ende nuk është publikuar një raport ekspertize që të argumentojë këto ndryshime dhe të përcaktojë kriteret mbi të cilat do të vendoset fati i bashkive që do të përthithen nga fqinjet e mëdhenj. Po aq e paqartë mbetet edhe se çfarë do të konsiderohet një bashki “më e madhe”: pesha politike apo kapaciteti financiar dhe administrativ?
Nga ana tjetër, ekziston një keqkuptim në mënyrën se si interpretohen treguesit financiarë të bashkive. Ashtu si madhësia territoriale, edhe madhësia e buxhetit shpesh trajtohet si një vlerë absolute, sikur një buxhet më i madh apo territor i madh të nënkuptonte automatikisht një bashki më të suksesshme. Në bashkitë e mëdha, të ardhurat më të larta nuk janë domosdoshmërisht tregues i një performance më të mirë nëse ato nuk transformohen në shërbime cilësore, investime dhe përmirësim të drejtpërdrejtë të mirëqenies së qytetarëve. Po ashtu, një nivel i lartë shpenzimesh nuk përbën vlerë në vetvete nëse nuk reflektohet në rezultate konkrete për komunitetin.
Në kontekstin e kësaj mjegullnaje, ecuria e performancës së bashkive në treguesit buxhetorë dhe në ofrimin e shërbimeve bazike vendore tregon se bashkitë e mëdha përballen me më shumë vështirësi sesa bashkitë e vogla dhe të mesme. Pra, madhësia, që po ofrohet si zgjidhje për sfidat e qeverisjes vendore, në fakt rezulton të jetë një faktor që nuk garanton vetvetiu performancë më të lartë dhe, në disa raste, mund të shoqërohet me kompleksitete më të mëdha menaxheriale dhe me ulje të aftësisë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive kërkesave për shërbim të qytetarëve.
Buxheti dhe investimet
Raporti i Performancës së Bashkive për vitin 2024 tregon se bashkitë më të vogla (deri në 10,000 banorë) kanë buxhetin më të lartë për frymë, me rreth 46 mijë lekë, dhe realizojnë 74% të tij. Në krahasim, bashkitë me 10,000–50,000 banorë kanë rreth 30 mijë lekë për frymë dhe realizimin më të lartë të buxhetit (76%). Ndërsa, bashkitë me 50,000–150,000 banorë kanë nivelin më të ulët të buxhetit për frymë (rreth 25 mijë lekë) dhe realizojnë 71% të tij. Bashkia Tiranë, megjithëse ka një buxhet për frymë relativisht të lartë (rreth 42 mijë lekë), shënon nivelin më të ulët të realizimit të buxhetit, me vetëm 62%.
Për sa u përket investimeve për frymë, bashkitë e vogla shënojnë nivelin më të lartë me rreth 7 mijë lekë, ose rreth 1 mijë lekë më shumë se bashkitë e mesme dhe 1.7 mijë lekë më shumë se bashkitë e mëdha (pa Tiranën). Megjithatë, në raport me buxhetin total, investimet përbëjnë vetëm 15 përqind të buxhetit të bashkive të vogla, rreth 5 përqind më pak se në bashkitë e kategorive të tjera. Këto të fundit, pavarësisht kapaciteteve më të mëdha financiare, nuk arrijnë të kalojnë pragun mesatar kombëtar prej 20% të peshës së investimeve ndaj buxhetit total, duke treguar se madhësia e bashkisë nuk përkthehet domosdoshmërisht në një aftësi më të madhe për të orientuar burimet drejt investimeve. Nëse bashkitë e mëdha disponojnë burime financiare dhe kapacitete më të konsiderueshme, pse ato nuk arrijnë të përkthejnë këtë avantazh në nivele më të larta investimesh për qytetarët? Diferencat e kufizuara në peshën e investimeve ndaj buxhetit, së bashku me nivelin më të ulët të investimeve për frymë në bashkitë më të mëdha, sugjerojnë se sfida nuk lidhet vetëm me madhësinë e njësisë vendore, por me mënyrën e menaxhimit, prioritetet buxhetore dhe aftësinë për të transformuar burimet financiare në shërbime dhe investime konkrete.
Arsimi parashkollor
Shërbimi i arsimit parashkollor në çerdhe dhe kopshte rezulton më problematik në bashkitë e mëdha, krahasuar me bashkitë e vogla dhe të mesme. Sipas të dhënave, bashkitë e vogla kanë nivelin më të lartë të regjistrimit në çerdhe, me 11%, krahasuar me bashkitë e mesme (9%) dhe bashkitë e mëdha (8%, pa përfshirë Tiranën). Ndërkohë, në kopshtet publike, bashkitë e vogla kanë shkallën më të lartë të regjistrimit, me 72%, në raport edhe me Bashkinë Tiranë(40.5%). Duhet theksuar se 17 bashki nuk e ofrojnë shërbimin publik të çerdheve.
Të dhënat tregojnë se bashkitë më të vogla shfaqin norma më të larta regjistrimi, duke arritur në disa raste nivele mbi 90% (si në Tepelenë, Selenicë dhe Rrogozhinë). Ndërkohë, normat më të ulëta të regjistrimit në bashkitë e mëdha lidhen pjesërisht me faktin se një pjesë e kërkesës për këtë shërbim mbulohet nga sektori privat.
Në lidhje me raportin fëmijë-edukatorë në kopshte, Bashkitë më të mëdha, si Tirana dhe ato me popullsi mbi 50.000 banorë, tregojnë raportet më të larta, përkatësisht 18.2 dhe 15.3 në kopshte publike, duke theksuar mungesën e theksuar të burimeve infrastrukturore dhe njerëzore në këto bashki.
Shërbimi i arsimit parashkollor ngre një çështje të rëndësishme për analizën e ndikimit të madhësisë së bashkisë në performancën e shërbimeve publike. Pavarësisht kapaciteteve më të larta financiare dhe administrative, bashkitë e mëdha shfaqin rezultate më të dobëta në një nga shërbimet më të rëndësishme, krahasuar me bashkitë e vogla dhe të mesme. Kjo tregon se rritja e përmasës së një bashkie nuk garanton në vetvete përmirësim të shërbimeve; përkundrazi, pa kapacitete të mjaftueshme financiare, infrastrukturore dhe administrative, ajo mund të sjellë presion më të madh mbi shërbimet publike dhe të dobësojë afërsinë e qeverisjes me qytetarët.
Ujitja dhe kullimi
Në bashkitë e vogla, mirëmbajtja në kanalet ujitëse arrin në shkallën 38%, ndërsa në bashkitë më të mëdha, të cilat kanë mbi 50.000 banorë, përqindja e mirëmbajtjes arrin në 12%. Këto të dhëna janë marrë nga raporti i 2023, për shkak se raporti i performancës së 2024 ka një ndryshim metodologjik në këtë fushë. Ndërkohë, sa i përket shkallës së mirëmbajtjes së kanaleve të kullimit, bashkitë e mesme kanë performancë më të mirë se bashkitë e mëdha, përjashtuar Tiranën. Bashkia Tiranë rezulton se ka përqindjen më të vogël të tokave bujqësore me ujitje/kullim (21%), krahasuar me bashkitë e tjera që variojnë në 46%-47%.
Ky raport i zhdrejtë sugjeron se menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit lidhet jo vetëm me madhësinë e bashkisë, por edhe me aftësinë për të garantuar mirëmbajtje të vazhdueshme, planifikim të burimeve dhe reagim të shpejtë ndaj nevojave të territorit. Në këtë fushë, bashkitë më të vogla mund të kenë avantazh nga afërsia më e madhe me zonat bujqësore dhe njohja më e drejtpërdrejtë e nevojave lokale. Nga ana tjetër, bashkitë e mëdha përballen me sfida më komplekse të menaxhimit të territoreve të gjera, ku mirëmbajtja e infrastrukturës bujqësore mund të konkurrojë me prioritete të tjera urbane dhe sociale.
Mbrojtja nga zjarri
Edhe në shërbimin zjarrfikës, bashkitë e vogla rezultojnë më performancë më të lartë në raport me popullsinë. Ato kanë mesatarisht 4 zjarrfikës për 1,500 banorë, ndërsa bashkitë e mesme 1.3, bashkitë e mëdha 0.6, dhe Bashkia Tiranë vetëm 0.5 zjarrfikës për 1,500 banorë. Krahasuar me mesataren kombëtare (0.9 zjarrfikës), bashkitë e mëdha dhe Tirana mbeten nën këtë prag. I njëjti trend vërehet edhe në raportin e automjeteve zjarrfikëse për 10,000 banorë, ku bashkitë e vogla dhe të mesme kanë mbulim më të lartë, duke treguar se rritja e madhësisë së bashkisë nuk është shoqëruar me rritje proporcionale të kapaciteteve të shërbimit të emergjencës.
Të dhënat tregojnë se bashkitë e vogla kanë mbulimin më të mirë të shërbimit zjarrfikës në raport me popullsinë, si për numrin e zjarrfikësve ashtu edhe për automjetet zjarrfikëse. Në të kundërt, me rritjen e madhësisë së bashkisë, ky raport përkeqësohet, duke kulmuar në Tiranë, e cila ka nivelin më të ulët të mbulimit. Kjo sugjeron se përqendrimi i popullsisë në bashkitë e mëdha nuk është shoqëruar me një rritje proporcionale të kapaciteteve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri.
***
Në tërësinë e tyre, këto të dhëna sfidojnë supozimin se bashkitë më të mëdha, për shkak të burimeve më të konsiderueshme financiare, bazës më të gjerë të të ardhurave dhe kapaciteteve më të mëdha administrative, duhet të ofrojnë automatikisht shërbime publike me performancë më të lartë. Përkundrazi, treguesit e analizuar tregojnë se bashkitë e mëdha nuk arrijnë ta përkthejnë avantazhin buxhetor dhe institucional në rezultate më të mira për qytetarët. Niveli më i ulët i investimeve për frymë, realizimi më i dobët buxhetor, mbulimi më i ulët në arsimin parashkollor, mirëmbajtja më e dobët e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe kapacitetet më të ulëta të shërbimit zjarrfikës në raport me popullsinë, tregojnë se madhësia nuk është shoqëruar me një përmirësim proporcional të cilësisë dhe aksesit në shërbime.
Për rrjedhojë, rritja e madhësisë së bashkive nuk duhet të konsiderohet si një zgjidhje në vetvete. Ekonomitë e shkallës mund të krijojnë avantazhe vetëm nëse shoqërohen me kapacitete të forta menaxheriale, mekanizma efektivë planifikimi, organizim të mirë të shërbimeve dhe ruajtje të afërsisë me komunitetet. Përndryshe, bashkitë më të mëdha mund të prodhojnë institucione më të mëdha, por jo domosdoshmërisht shërbime më të mira.
*Ekspert për Qeverisjen dhe Anti-Korrupsionin (Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim)
