Në një kohë kur siguria kombëtare sfidohet çdo ditë nga sulmet kibernetike, lufta hibride dhe vjedhja e të dhënave masive (Big Data), Shqipëria po përballet me një paradoks të rrezikshëm institucional dhe juridik. Nga njëra anë, me ndryshimet e fundit ligjore në korrik 2026, shteti shqiptar i ka zgjeruar Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) kompetencat për t’u përballur me kërcënimet teknologjike dhe asimetrike. Përfshirë këtu edhe konceptin evaziv “stabilitet i brendshëm”, të cilin e kemi trajtuar më herët (Shiko: Gazeta Panorama Online, “SHISH pa Kufij, Demokraci pa Garanci”, 4 korrik, 2026) . Nga ana tjetër, korniza penale me të cilën supozohet të ndëshkohet cenimi i këtyre interesave jetike ka mbetur një relike e Luftës së Ftohtë.
Mjafton të lexosh Nenet 213 dhe 214 të Kodit Penal shqiptar për të kuptuar thellësinë e këtij dështimi strukturor. Sipas këtyre dispozitave, dhënia e informatave sekrete përbën vepër penale vetëm nëse i jepet “një fuqie të huaj” dhe ekskluzivisht me qëllimin “për të cenuar pavarësinë e vendit”. Ky formulim anakronik e lë shtetin shqiptar ligjërisht të çarmatosur përballë realitetit të shekullit të 21-të.
Në epokën e inteligjencës artificiale dhe operacioneve hibride, spiunazhi nuk kryhet më vetëm nga shtete tradicionale, por nga organizata terroriste, sindikata globale hakerash, korporata apo aktorë jo-shtetërorë (proxies). Më e rëndësishmja: qëllimi i tyre pothuajse asnjëherë nuk është zhdukja e “pavarësisë territoriale” të Republikës së Shqipërisë. Kur një rrjet spiunazhi vjedh të dhënat e sistemit TIMS, komprometon komunikimet e institucioneve të sigurisë, apo shet sekretet e protokolleve të NATO-s, qëllimi mund të jetë përfitimi financiar, shantazhi politik, apo destabilizimi i institucioneve.
Ligjvënësi ka vendosur barrierën e “Qëllimit Specifik” (Dolus Specialis). Fraza “për të cenuar pavarësinë e vendit” kërkon që prokuroria të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm se qëllimi specifik i spiunit ishte shkatërrimi i pavarësisë së Shqipërisë. Në realitetin e sotëm, një informator mund t’i shesë sekrete shtetërore një shërbimi të huaj thjesht për përfitim financiar, për arsye ideologjike, apo për të shantazhuar një figurë politike. Ai mund të mos ketë asnjë interes të cenojë “pavarësinë” (sovranitetin territorial apo juridik) të vendit.
Ndryshe nga aleatët tanë perëndimorë, si Shtetet e Bashkuara ku dënohet çdo veprim që përbën avantazh për një komb tjetër, apo Suedia që sapo kriminalizoi spiunazhin që dëmton interesat e aleancës – ne vazhdojmë të kërkojmë prova për pushtime klasike. Shqipëria nuk e ka të mbrojtur penalisht në mënyrë eksplicite as informacionin e aleancës euroatlantike. Pra, nëse komprometohen të dhëna të NATO-s nga territori ynë, a po i cenohet vërtet “pavarësia” Shqipërisë?
Mungesa e dosjeve të dënimeve për spiunazh në Shqipëri nuk tregon se jemi një “ishull paqeje” apo se shërbimet e huaja e kanë anashkaluar vendin tonë. Ajo është dëshmi e verbërisë dhe pafuqisë sonë institucionale. Nëse shteti shqiptar do të kishte instrumente moderne dhe vullnet për të goditur ndikimet e paligjshme, do të kishim parë të paktën një proces gjyqësor shembullor në dekadën e fundit, ndërkohë që Ballkani vazhdon të jetë poligon i hapur i luftës hibride. Kur lojtarët globalë lëvizin burime për të blerë ndikim e për të komprometuar vendimmarrjet strategjike në Tiranë, strukturat tona të sigurisë dhe drejtësisë mbyllin sytë. Kjo heshtje nuk është pastërti. Ajo është frika nga “kutitë e Pandorës” që do të zbulonin se sa thellë është e kapur struktura jonë shtetërore.
Ky vakum i rrezikshëm ligjor merr përmasa edhe më dramatike kur reflektojmë mbi krizën e thellë që ka përfshirë së fundmi vetë institucionin e SHISH. Kur vetë drejtimi i shërbimit kapet në rrjeta kompromisesh e skandalesh për shkak të emërimeve klienteliste pa veting të mirëfilltë meritokratik, thelbi i sigurisë kombëtare është i komprometuar nga brenda.
Rreziku i vërtetë, në fakt, nuk është se çështja shkon në gjykatë dhe rrëzohet. Rreziku është se prokuroria dekurajohet qysh në krye të herës që të ngrejë akuzën për “Spiunazh”. Për shkak të këtij formulimi absurd të “pavarësisë”, prokurorët zgjedhin rrugën më të lehtë për të pasur sukses. Ata ngrenë akuzën për “Zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” (Neni 295/a) ose “Shpërdorim detyre”, të cilat dënohen me vetëm 1 deri në 5 vjet burg.
Nëse ligji nuk i frikëson dot agjentët e huaj, vija jonë e fundit e mbrojtjes mbetet integriteti i vetë institucioneve të inteligjencës. Por kur vetë ky institucion kapet nga klientelizmi dhe mungesa e meritokracisë, rënia e sigurisë kombëtare është e plotë. Sot, shtetet moderne nuk po arnojnë thjesht nenet e spiunazhit tradicional. Ato po miratojnë ligje tërësisht të reja për Sigurinë Kombëtare dhe spiunazhin digjital. Ndoshta do të duhet një kapitull krejt i ri në Kodin Penal kushtuar posaçërisht “Kërcënimeve Hibride dhe Sigurisë së Informacionit”. Natyrisht, çdo ashpërsim ligjor duhet të përfshijë klauzola të hekurta mbrojtëse për sinjalizuesit (whistleblowers) dhe gazetarët investigativë. Vija ndarëse duhet të jetë e prerë: zbulimi i një sekreti në emër të interesit publik për të denoncuar korrupsionin shtetëror mbron Republikën, ndërsa transferimi i fshehtë i tij tek aktorët e huaj e rrezikon atë.
Është e vërtetë se shërbimet sekrete serioze rrallë i dërgojnë spiunët në dyert e gjykatave publike. Për të mbrojtur burimet, metodat dhe teknologjinë e tyre, doktrina standarde preferon neutralizimin e heshtur ose dëbimin diplomatik (shpalljen persona non grata). Por, kjo mburojë e “sekretit operacional” vlen më tepër për agjentët e huaj. Kur bëhet fjalë për qytetarët tanë, zyrtarë të lartë, ushtarakë, diplomatë, vendimmarrës, mbajtës të sekreteve shtetërore, etj., të cilët rekrutohen nga fuqi të huaja, procesi gjyqësor për tradhti të lartë nuk është një opsion, por një detyrim jetik shtetëror. Fakti që në Shqipëri nuk kemi asnjë shtetas shqiptar të dënuar për spiunazh në dekada, nuk dëshmon profesionalizmin e heshtur të institucioneve tona të sigurisë. Përkundrazi, ai zbulon një të vërtetë të hidhur: infrastruktura jonë e kundërzbulimit është e paralizuar për të goditur ata që e shesin shtetin nga brenda, duke e kthyer “sekretin shtetëror” në një alibi për paprekshmërinë e elitave të devijuara.
Nuk mund të luftohet spiunazhi modern me ligje të djeshme dhe me institucione të kapura sot. Kodi Penal duhet të ndryshohet urgjentisht për të dënuar cenimin e “sigurisë kombëtare dhe interesave strategjike të aleancave tona”, duke fshirë pragun absurd të “cenimit të pavarësisë”. Megjithatë, nuk mjafton të arnosh Kodin Penal kur s’ke vullnet që ta zbatosh atë. Është njësoj si të blesh një bravë të sofistikuar për një derë që e lë gjithmonë hapur. Nëse shteti nuk zotëron instrumente ligjore precize për të mbrojtur informacionin e tij dhe vullnet politik për të pastruar institucionet e sigurisë nga militantizmi dhe paaftësia, atëherë fjalët e bukura për modernizim mbeten thjesht një fasadë që fsheh rënien e Republikës.
