Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të bëra në Kuvend për protestën jashtë Parlamentit, duke dënuar përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe akuzat e ngritura ndaj tyre. Në një prononcim jashtë Kuvendit, Berisha tha se dënon përdorimin e gazit, ujit me presion dhe mjeteve të tjera gjatë përplasjes mes policisë dhe protestuesve, duke e cilësuar ndërhyrjen si të papranueshme.

“Dënoj dhunën e egër, përdorimin e lëndëve djegëse, gazeve helmuese, sprajit të ariut, topave të ujit ndaj protestuesve paqësorë, akte me të cilat dëshmohet fytyra e vërtetë diktatoriale e regjimit”, deklaroi Berisha.

Ai sulmoi ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke kundërshtuar deklaratat e tij për protestuesit. “Dënoj me forcën më të madhe cilësimin si terroristë të protestuesve paqësorë në një akt të pashembullt nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Bego Yaris”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, deklarata të tilla janë të papërgjegjshme ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e protestës. “Këto janë qëndrimet më të papërgjegjshme ndaj qytetarëve, të cilët protestojnë në mënyrë paqësore”, tha kreu i PD-së.

Berisha përsëriti gjithashtu kërkesën për mbylljen e këtij Parlamenti, duke akuzuar mazhorancën se nuk përfaqëson qytetarët shqiptarë. “Kërkoj edhe njëherë përfundimin e këtij Parlamenti, pasi këta deputetë në mënyrë absolute nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë. Përfaqësojnë votat e plaçkitura me banda, me para krimi dhe votat e plaçkitura në shumë mënyra të tjera”, deklaroi Sali Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: