Diplomati amerikan në pension dhe ish-drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka folur për verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, i cili pritet të shpallet më 16 shtator.
Në një prononcim për mediat në Kosovë, Walker tha se po e pret me ankth vendimin, duke e cilësuar procesin gjyqësor si tepër të gjatë.
“Po pres me shumë ankth, pas një procesi shumë, shumë të gjatë. Nuk mund ta imagjinoj se si po ndihen Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, pas kaq shumë kohësh në paraburgim. Thjesht nuk mund ta kuptoj këtë proces. Ka zgjatur kaq shumë”, deklaroi ai.
Walker kritikoi mënyrën se si, sipas tij, Prokuroria e Hagës e ka konceptuar UÇK-në gjatë procesit gjyqësor. Ai tha se UÇK-ja nuk ka funksionuar si një ushtri e mirëorganizuar me një zinxhir të vetëm komandimi, por si një organizatë me struktura dhe komandantë të ndryshëm rajonalë.
“Mendoj se prokuroria është bazuar në disa premisa të rreme, duke e paraqitur UÇK-në si një lloj ushtrie standarde, me një zinxhir komandues që arrinte deri te këta tre burra. E di që UÇK-ja ishte shumë ndryshe nga kjo. Ishte një organizatë rajonale, me komandantë të ndryshëm rajonalë”, u shpreh Walker.
Ish-diplomati amerikan e cilësoi procesin si një “farsë”, duke argumentuar se drejtësia nuk mund të vijë pas gjashtë vitesh paraburgim për të akuzuarit.
“Çfarëdo qoftë aktgjykimi, mendoj se vetë procesi i hetimit dhe gjykimit për krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga këta tre persona është një farsë. Mendoj se gjykata ka vepruar mbi një keqkuptim të plotë të asaj se çfarë ishte UÇK-ja. Drejtësi nuk mund të vijë nga ky proces, sepse tashmë jetët e këtyre të pandehurve janë shkatërruar nga gjashtë vite paraburgim”, tha ai.
Walker nënvizoi gjithashtu se beson te parimi i prezumimit të pafajësisë dhe shprehu habinë e tij për kohëzgjatjen e paraburgimit.
“Gjithmonë kam menduar se drejtësia bazohet në parimin se je i pafajshëm derisa të shpallesh fajtor dhe se nuk duhet të jesh në burg derisa të përcaktohet aktgjykimi. Jam thjesht i tronditur nga padrejtësia e gjithë këtij sistemi”, deklaroi Walker.
Ai tha se nuk ka dijeni se cili do të jetë vendimi përfundimtar dhe se as personat me të cilët ka komunikuar nuk kanë pasur informacion konkret mbi atë që mund të vendosë gjykata.
Në fund, Walker shprehu bindjen se procesi në Hagë ka pasur edhe dimension politik dhe se ka ndikuar negativisht në imazhin e Kosovës.
“Pavarësisht nëse do të jetë fajësi apo pafajësi, mendoj se vetë procesi duhet dënuar. Shpresoj që populli i Kosovës ta kuptojë se kjo ishte në thelb një proces politik, më shumë sesa një kërkim për drejtësi dhe të vërtetën”, u shpreh ai.
Walker shtoi se i vjen keq jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për Kosovën, duke e cilësuar vendin si një “mrekulli” dhe duke argumentuar se gjyqi ka dëmtuar imazhin e saj ndërkombëtar.
“Për mua, Kosova është një mrekulli. Ky gjyq e ka dëmtuar atë imazh. Çfarëdo që të jetë rezultati, shpresoj që populli i Kosovës ta kuptojë se ky nuk ishte në të vërtetë një kërkim për drejtësi. Ishte një kërkim për të bërë një deklaratë politike nga BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar”, përfundoi ish-diplomati amerikan.
