Aktivisti Edison Lika është liruar pas rreth katër orësh shoqërimi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u dërgua pas ndërhyrjes së efektivëve gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte para Kuvendit.

Lika u shoqërua nga policia pak minuta pasi kishte dhënë një prononcim për News24, ku denonconte, sipas tij, dhunën e ushtruar nga forcat e rendit ndaj protestuesve.

Pas daljes nga ambientet e policisë, ai u prit nga të pranishmit, duke u shfaqur i buzëqeshur dhe duke i përshëndetur me duar. Aktivisti deklaroi se shoqërimi nuk e ka dekurajuar, por përkundrazi e ka bërë më të vendosur për të vijuar protestat.

Në një postim në Facebook, Lika ndau edhe mesazhin e tij të parë pas lirimit.

“Më i fortë, më i motivuar dhe sigurisht më i buzëqeshur se kur hyra. Bashkohemi në ‘Bulevardin Dëshmorët e Kombit’ dhe këndojmë ‘Raaaamaaa Jeeepee Dorëheqjeeen!’”, shkruan ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: