Protestat në Tiranë kundër subvencionit prej 4 milionë eurosh për koncertin e reperit amerikan Kanye West janë shoqëruar me tensione, pasi policia përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Sipas raportimeve të gazetarëve të AFP-së nga vendngjarja, disa qindra qytetarë tentuan të çanin kordonin e sigurisë të vendosur pranë Parlamentit, ndërsa disa prej tyre hodhën vezë dhe gurë në drejtim të forcave të rendit.

Protesta u zhvillua në kohën kur Kuvendi pritej të miratonte fondin prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West, i cili performoi në Tiranë në fillim të muajit korrik.

Reperi, i cili tashmë përdor emrin artistik Ye, ka qenë në qendër të polemikave ndërkombëtare për deklarata antisemite. Në të kaluarën ai ka publikuar materiale dhe ka bërë deklarata që kanë shkaktuar reagime të shumta, ndërsa vetë artisti ka deklaruar se ka pasur probleme të shëndetit mendor dhe ka mohuar të jetë nazist apo antisemit.

Protesta kundër këtij financimi është pjesë e një serie tubimesh që kanë nisur prej fundit të muajit maj kundër disa projekteve të mëdha turistike në Shqipëri, përfshirë projektin e zhvillimit në zonën e mbrojtur të Vlorës dhe ishullin e Sazanit.

Prej javësh, protestuesit janë mbledhur para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Lëvizja e tyre, e quajtur “Protestat e Flamingove”, ka përdorur si simbol flamingon rozë, në shenjë kundërshtimi ndaj projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë zonat natyrore, shkruan revista gjermane, stern.

Në qendër të kritikave është edhe projekti luksoz i lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, që parashikon zhvillime turistike në zona bregdetare shqiptare.

Qeveria shqiptare e ka vendosur zhvillimin e turizmit si një nga prioritetet kryesore ekonomike, ndërsa kundërshtarët e projekteve të mëdha kërkojnë më shumë transparencë dhe mbrojtje të zonave natyrore.

Tensionet e fundit vijnë në një klimë të zgjatur protestash politike, ku pjesëmarrja e qytetarëve ka shënuar luhatje gjatë javëve të fundit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb