Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka depozituar në Kuvend një kërkesë për interpelancë urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me çështjen e TEC-eve lundruese në Vlorë. Blushi e cilësoi projektin si një aferë me kosto të lartë për taksapaguesit shqiptarë, duke pretenduar se janë shpenzuar dhjetëra milionë euro fonde publike pa sjellë përfitime reale për sistemin energjetik.

Sipas tij, qeveria po planifikon të shpenzojë edhe rreth 20 milionë euro të tjera për operimin dhe mirëmbajtjen e këtyre impianteve. “Ky është një nga skandalet më të mëdha të shpërdorimit të parave publike, i vënë në jetë nga Edi Rama dhe Belinda Balluku. Një projekt i propaganduar si zgjidhje strategjike është shndërruar në një gropë të zezë korrupsioni”, deklaroi Blushi.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke kërkuar përgjegjësi për vendimmarrjet që lidhen me projektin. Në deklaratën e tij, Blushi ngriti edhe pretendime për konflikt interesi, duke përmendur emërimin e ish-ambasadores së SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, në drejtimin e kompanisë që zotëron TEC-et lundruese. Ai kërkoi transparencë mbi çdo lidhje të mundshme që lidhet me këtë çështje.

“Shqiptarët meritojnë të dinë nëse kemi të bëjmë me një rastësi apo me mbrojtjen politike të një afere korruptive”, u shpreh Blushi. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë ngriti gjithashtu shqetësime për ndikimin mjedisor të TEC-eve në Gjirin e Vlorës, duke pretenduar se ato dëmtojnë mjedisin, turizmin dhe shëndetin e banorëve të zonës. Pritet që çështja të diskutohet në Kuvend gjatë interpelancës së kërkuar nga Partia e Lirisë.

Deklarata e plote:

Sot depozitova zyrtarisht në Kuvend kërkesën për zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për aferën e dy TEC-eve rangallë lundruese në Vlorë, që vazhdojnë të gllabërojnë dhjetëra milionë euro nga xhepat e shqiptarëve pa prodhuar asnjë përfitim real për sistemin energjetik.

Ky është një nga skandalet më të mëdha të shpërdorimit të parave publike, i vënë në jetë nga Edi Rama dhe Belinda Balluku.

Një projekt i propaganduar si “zgjidhje strategjike” është shndërruar në një gropë të zezë korrupsioni, ku pasi janë harxhuar dhjetëra milionë euro për TEC-e që pothuajse nuk kanë prodhuar energji, qeveria kërkon të zhvasë edhe 20 milionë euro të tjera vetëm për operimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Edhe më i rëndë është fakti se mbi këtë aferë rëndon tashmë hija e konfliktit të interesit dhe e ndikimit politik të mafias ndërkombëtare. Emërimi i ish-Ambasadores së SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, në drejtimin e kompanisë që zotëron këto TEC-e të amortizuara, të sjella nga Bangladeshi, ngre pikëpyetje serioze mbi interesat që kanë mbajtur në këmbë këtë skemë. Shqiptarët meritojnë të dinë nëse kemi të bëjmë me një rastësi apo me mbrojtjen politike të një afere korruptive.

Ndërkohë, TEC-et vazhdojnë të kërcënojnë Gjirin e Vlorës, duke dëmtuar mjedisin, turizmin dhe shëndetin e qytetarëve, ndërsa qeveria vazhdon të financojë ndotjen me paratë e taksapaguesve.

Për këtë arsye kam kërkuar interpelancën parlamentare. Ministri duhet të japë llogari për çdo euro të shpenzuar, për tenderin e ri 20 milionë euro, për dëmin mjedisor dhe për çdo lidhje që ka mbajtur gjallë këtë aferë.

Partia e Lirisë mbështet plotësisht protestën qytetare për largimin e menjëhershëm të këtyre TEC-eve rangallë. Kërkojmë ndërprerjen e çdo pagese publike për këtë skemë grabitjeje, transparencë të plotë dhe vendosjen para përgjegjësisë të të gjithë autorëve të këtij skandali. Paratë e shqiptarëve nuk mund të trajtohen më si plaçkë për klientët e qeverisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: