Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Precedenti” në Mat, duke goditur një rast të armëmbajtjes pa leje.
Në pranga ka rënë një 40-vjeçar me inicialet R.T., banues në fshatin Gurrë e Vogël, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë zjarri tip pushkë, së bashku me municion luftarak.
Sipas policisë, 40-vjeçari ishte person me precedent penal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe e mbante armën pa dokumentacionin përkatës.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me shërbimet e Postës së Policisë Klos, pas kontrolleve dhe informacioneve operative për parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj të arrestuarit rëndon akuza për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni i koduar “Precedenti”, për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje.
Arrestohet në fshatin Gurrë e Vogël një 40-vjeçar, person me precedent penal në fushën e armëmbajtjes pa leje, i cili mbante në banesë, një armë zjarri tip pushkë.
Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municion luftarak.
Si rezultat i punës parandaluese, bazuar në kontrolle, hetime dhe informacione operative, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, specialistët e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me shërbimet e Postës së Policisë Klos, finalizuan operacionin policor të koduar “Precedenti”.
Si rezultat, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit R. T., 40 vjeç, banues në fshatin Gurrë e Vogël, ku u gjet dhe u sekuestrua 1 armë zjarri tip pushkë, së bashku me municion luftarak, të cilat ai i posedonte pa leje.
Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi R. T. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
