Nga US News
Policia shqiptare përdori topa uji dhe gaz lotsjellës të enjten për të shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën vezë dhe shishe ndaj efektivëve. Përplasjet jashtë Kuvendit ishin një episod i pazakontë në protestat, zakonisht paqësore, që zhvillohen prej gati dy muajsh në Tiranë. Aktivistët thonë se protestojnë kundër korrupsionit dhe rrezikut që projektet e zhvillimit përgjatë bregdetit të Adriatikut paraqesin për mjedisin dhe jetën e egër.
Protestuesit e quajnë lëvizjen e tyre “Revolucioni i Flamingove”, sipas zogjve që grumbullohen në një ligatinë të mbrojtur.
Policia, e pajisur me mjete kundër trazirave dhe me mburoja, përdori topa uji kundër qindra protestuesve, të cilët tundnin gardhet që rrethonin godinën e Kuvendit.
Projekti i Kushnerit dhe projekte të tjera zhvillimi mbështeten fuqimisht nga kryeministri Edi Rama, i cili i ka cilësuar protestat si të sajuara dhe të nxitura nga kundërshtarët e tij politikë.
“Jam këtu për ta larguar këtë qeveri,” tha një protestues që u prezantua si Pirro. “Rama duhet të largohet, ai është hajdut.”
“Ne do të vazhdojmë protestat për të ushtruar presion mbi ta,” tha 27-vjeçari Noel Leshja. “Nëse nuk ka presion, ata do të vazhdojnë ta shesin Shqipërinë”.
Reuters raportoi këtë muaj se prokurorët shqiptarë dyshojnë se një biznesmen me bazë në Miami, i cili u shiti tokën zhvilluesve, ka falsifikuar dokumentet e pronësisë. Biznesmeni, i cili akuzohet gjithashtu për pastrim parash të përfituara nga trafikantë kokaine, i mohon akuzat, ndërsa zhvilluesit deklarojnë se besojnë se transaksionet e tokës janë të vlefshme.
Më herët gjatë këtij viti, pati përplasje të dhunshme gjatë protestave ku kërkohej dorëheqja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku për shkak të akuzave për korrupsion. Balluku u shkarkua nga detyra.
