Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se shmangu çështjet kryesore që, sipas saj, kanë sjellë protestat qytetare.
Tabaku deklaroi se protesta nuk lidhet vetëm me një çështje të vetme, por me një sistem që ajo e cilëson të ndërtuar nga qeveria Rama, duke përmendur ligjet për investimet strategjike dhe ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Ajo rikujtoi se në vitin 2024, gjatë kohës që drejtonte Komisionin për Integrimin Europian, kishte ngritur shqetësime së bashku me organizatat mjedisore dhe shoqërinë civile për ndikimin e këtyre ndryshimeve në biodiversitet dhe zonat e mbrojtura.
Sipas Tabakut, Bashkimi Europian dhe Parlamenti Europian kishin shprehur rezerva për këto ndërhyrje ligjore, ndërsa ajo akuzoi qeverinë se ka lejuar projekte në zona të mbrojtura, duke përmendur aeroportin e Vlorës në zonën Vjosë–Nartë.
“Kjo është një protestë kundër sistemit që ai vetë ndërtoi”, u shpreh Tabaku, duke shtuar se qeveria nuk mund t’i përgjigjet pakënaqësisë qytetare me propagandë.
Në reagimin e saj, deputetja demokrate përdori edhe një referencë ndaj filozofit politik Alexis de Tocqueville, duke theksuar se demokracia mund të rrezikohet nga keqpërdorimi i pushtetit të shumicës.
Në fund, Tabaku kërkoi një “fillim të ri” për vendin dhe deklaroi se ndryshimi, sipas saj, nis me largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.
Reagimi i Tabakut:
Kryeministri foli gjatë. Shumë gjatë. Por nuk tha asgjë për thelbin e protestës.
Kjo është një protestë kundër sistemit që ai vetë ndërtoi: kundër ligjeve me porosi, nga Ligji për Investimet Strategjike te ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Në vitin 2024, si kryetare e Komisionit të Integrimit Europian, së bashku me organizatat mjedisore dhe shoqërinë civile, ngrita publikisht shqetësimin për këto ndryshime. Bashkimi Europian paralajmëroi për rrezikun ndaj biodiversitetit, ndërsa Parlamenti Europian kërkoi kthimin pas të tyre.
Kjo është e njëjta qeveri që lejoi ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë, duke shpërfillur edhe kërkesën e Konventës së Bernës për pezullimin e punimeve.
Sot Kryeministri bën sikur e ka dëgjuar popullin. Por ai nuk është keqkuptuar: është kapur brenda sistemit që vetë ngriti.
Ky sistem nuk ndryshon me propagandë. Ai zhbëhet duke shfuqizuar ligjet me porosi dhe duke rikthyer shtetin në shërbim të qytetarëve.
Siç paralajmëronte Alexis de Tocqueville, demokracia rrezikohet nga tirania e shumicës.
Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri. Dhe ndryshimi nis me largimin e kryearkitektit të këtij sistemi: Edi Ramës.
