Aktivisti Edison Lika në protestën e 55 kundër Ramës, iu përgjigj deklaratave të kryeministrit të mbajtura në mbledhjen e grupit parlamentar të PS.
Ai u shpreh i qartë se nuk ka më kthim pas dhe se kërkesa për dorëheqje është e panegociueshme.
“Ne kërkojmë dorëheqje. Ne i kemi thënë atij që kërkon të dialogojë me ne, se ne diskutimin me ty e kemi mbyllur para 55 ditësh. Kërkesa jonë është e qartë, dorëheqje. Kryeministri dukej se vetëm diçka kishte kuptuar mirë, se kjo protestë shënjon fundin e një epokë. Kjo protestë shënjon dhe duhet të shënjojë fundin e një epoke. Fundi i një epoke ku qytetari beson verbërisht dhe është tifoz i partive politike. Ne nuk mund të pranojmë të jemi skllevër të partive politike. Nuk do të jemi më peng i të korruptuarve dhe kriminelëve. Nëse e gënjen mendja se do japë dorëheqje dhe do shkojë në zgjedhje të parakohshme e ka gabim. Ne jemi të vetëdijshme se kjo qeveri ka krimin patronazhistët”, tha ai, duke shtuar: “Pasi të japë dorëheqjen ky vend duhet të kalojë në qeveri tranzitore. Nuk do lemë pa përmendur edhe kërkesën shumë të rëndësishme, kërkojmë që të mos ketë më shumë se dy mandate kryeministër. Kjo shoqëri nuk ka nevojë për diktatorë dhe autokratë. Ne kemi nevojë për një model të ri. Nuk kemi nevojë për një njeri të ri, por për një sistem të ri”.
