Një qytetar që mori fjalën në protestën e 55-të para Kryeministrisë i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë të vijojnë hetimet ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, duke kërkuar transparencë për pasuritë e tyre.
Nga podiumi i protestës, ai deklaroi se qytetarët po japin një mesazh të qartë përmes pjesëmarrjes së tyre, duke theksuar se sheshi u përket qytetarëve dhe jo politikës.
“Protesta ka dëshmuar se sheshi është i qytetarëve. Njerëzit nuk pranojnë të jenë spektatorë, por kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, protestuesi iu drejtua kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke u kërkuar që të përballen me drejtësinë dhe të sqarojnë origjinën e pasurive të tyre.
Ai theksoi se, sipas tij, është e nevojshme që të hetohen pasuritë e të gjithë politikanëve dhe zyrtarëve të dyshuar për korrupsion, në mënyrë që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë.
“Një thirrje për ata deputetë, a kanë turp apo s’kanë? A e dëgjojnë thirrjen e popullit? Rama në burg, Berisha në burg, largim i klasës së vjetër politike. I bëj thirrje SPAK-ut të arrestojë edhe dy brinjët e tjera të trekëndëshit të Bermudës, sepse një nga brinjët iku”, vijoi ai.
