Pas marshimit në rrugët e Tiranës mbrëmjen e sotme, protestuesit marshuan edhe pranë Komisariatit nr. 3, ku bënë thirrje për lirimin e të ndaluarve nga protesta që u mbajt para Parlamentit.

Në këtë mënyrë është mbyllur edhe protesta e 56-të radhazi kundër qeverisë.

Qytetarët përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.

Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si “Shqipëri e re”, “Rama jepe dorëheqjen”,  “Qeveri e krimit”, ndërsa protestuesit deklaruan se nuk do të ndalin tubimet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Një nga mesazhet kryesore të mbrëmjes ishte refuzimi i çdo dialogu me kryeministrin. Sipas protestuesve, ata “nuk i japin besën një njeriu që tradhton Shqipërinë”.

Pjesëmarrësit i drejtuan gjithashtu thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke kërkuar hetimin e kryeministrit Edi Rama dhe lirimin e personave të ndaluar gjatë protestave.

“Hetoni Ramën, bëni detyrën tuaj. Në Komisariatin nr. 3 mbahen ende qytetarë. Marshimin e sotëm ua dedikojmë atyre. Lironi çunat, lironi gocat”, u shpreh një prej protestuesve.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: