Dhjetëra fansa të Beatles në Liverpool përjetuan një moment të jashtëzakonshëm, kur autobusi turistik në të cilin po udhëtonin u ndal rastësisht pranë makinës së Paul McCartney në një semafor.

Pasagjerët e autobusit Magical Mystery Tour, i cili viziton vendet më të rëndësishme të lidhura me historinë e grupit legjendar britanik, mbetën të mahnitur kur panë McCartney-n duke i përshëndetur nga dritarja e automjetit të tij.

Momentin e bëri edhe më të veçantë fakti se ish-anëtari i Beatles ishte në një video-thirrje me bateristin e grupit, Ringo Starr. McCartney e ktheu telefonin drejt autobusit, duke i lejuar edhe Starr-it të përshëndeste fansat e emocionuar.

Guida turistike 71-vjeçare, Tony Curley, e përshkroi takimin e papritur si një “rastësi magjike”.

“Shoferi ynë vuri re dikë që po na bënte me dorë. Ndaluam në semafor dhe aty ishte Paul McCartney, duke na përshëndetur nga sedilja e pasme e makinës. Hapa dritaren dhe ai na pyeti: ‘Jeni mirë djema?’ Më pas u ktheva nga pasagjerët dhe u thashë: ‘Nxirrini telefonat, është Paul McCartney!'”, tregoi Curley.

Sipas guidës, i cili ka punuar për rreth 10 vite në autobusin turistik të Beatles, kjo ishte vetëm hera e dytë që McCartney është parë nga një grup turistësh gjatë një vizite në Liverpool.

“Ai duhet të ketë ndier krenari duke parë një autobus plot me njerëz nga e gjithë bota që kishin ardhur për muzikën e tyre. Besoj se edhe ai e shijoi atë moment”, tha Curley.

Detaji më i veçantë i kësaj historie është se guida 71-vjeçare kishte pranuar të punonte në atë turn vetëm në momentin e fundit, pasi zëvendësoi një koleg të sëmurë. Një vendim i rastësishëm që i dhuroi atij dhe dhjetëra fansave një kujtim që do të mbetet gjatë në histori.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb