Këngëtarja dhe kompozitorja amerikane Carly Simon ka zbuluar se është diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit, duke folur për herë të parë publikisht për sfidat që po përjeton me këtë sëmundje neurologjike progresive. Në një deklaratë për BBC, artistja 83-vjeçare tha se po përpiqet të përshtatet me realitetin e ri dhe se çdo ditë është e ndryshme.
“Po mësoj si të jetoj me këtë sëmundje ndonjëherë të frikshme. Përparimi i saj është i paparashikueshëm. Disa ditë jam aq e lodhur sa nuk mund ta nis fare ditën, ndërsa në ditë të tjera kam më shumë energji për të lëvizur, për të menduar, për të punuar dhe për t’u ndjerë vetvetja”, u shpreh Simon.
Pavarësisht diagnozës, këngëtarja theksoi se nuk ka ndërmend të ndalojë aktivitetin e saj artistik.
“Nuk kam pushuar së jetuari dhe nuk kam pushuar së punuari”, tha ajo, duke treguar vendosmërinë për të vazhduar krijimtarinë edhe përballë sëmundjes.
Simon zbuloi gjithashtu se së fundmi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një tumori kanceroz në fytyrë, i cili, sipas saj, ndikoi edhe në mënyrën se si e percepton veten.
“Operacioni më bëri të ndihem më e vetëdijshme për pamjen time në publik. Gjithmonë kam qenë më kritike ndaj vetes sesa mund ta imagjinojnë të tjerët dhe kjo situatë i dha edhe më shumë arsye kritikut tim të brendshëm”, tha artistja, duke kujtuar me ironi suksesin e këngës së saj ikonike “You’re So Vain”.
Ajo rrëfeu se problemet shëndetësore nisën fillimisht me artrit në të dy gjunjët dhe në njërën ijë. Edhe pse iu nënshtrua tre operacioneve për zëvendësimin e nyjeve, lëvizshmëria nuk u përmirësua.
“E kisha gjithnjë e më të vështirë të ngrihesha nga një karrige apo divan pa ndihmën e dikujt. Mobiljet e buta u bënë armiku im. Kur ulesha, ndihesha sikur karrigia më kishte përpirë dhe nuk mund të ngrihesha më. Më pas erdhën periudha kur nuk mund të ecja pa ndihmë. Atëherë unë dhe familja ime e kuptuam se diçka tjetër nuk shkonte”, tregoi Simon.
Pas një vlerësimi të plotë, mjekët konfirmuan se ajo vuante nga Parkinsoni. Artistja tha se tashmë po trajtohet me medikamente dhe terapi, por sëmundja nuk shfaqet vetëm me vështirësi në lëvizje.
Sipas saj, Parkinsoni është shoqëruar edhe me episode ankthi, depresioni dhe, mbi të gjitha, apatie.
“Apatia është ndoshta pjesa më e çuditshme e kësaj sëmundjeje. Mund të qëndrosh i shtrirë pa ndier asnjë dëshirë për t’u ngritur, për të lexuar, për të shkruar, për të kënduar apo për të telefonuar dikë. Nuk është thjesht trishtim apo përtaci. Është sikur pjesa e trurit që të fton të marrësh pjesë në jetë, përkohësisht pushon së funksionuari”, shpjegoi ajo.
Simon tha se vendosi ta bënte publike diagnozën pasi mori shumë letra nga admiruesit, të cilët pyesnin për shëndetin e saj dhe arsyen e mungesës relative nga jeta publike.
Megjithatë, artistja nuk ka ndërmend të largohet nga muzika. Ajo ka njoftuar publikimin e albumit të ri “Comes In Waves”, i cili pritet të dalë në gusht të vitit 2026.
Kënga e parë e albumit, “Howl”, është publikuar tashmë dhe trajton temën e dhimbjes pas një ndarjeje, duke përcjellë mesazhin se emocionet duhet të shprehen dhe jo të shtypen. Sipas njoftimit zyrtar, albumi do të rikthejë temat që kanë karakterizuar gjithë karrierën e Simon, si dashuria, kujtesa, familja, vetëvlerësimi dhe falja.
Carly Simon është një nga figurat më të rëndësishme të muzikës pop dhe rock të viteve ’70. Ajo është autore e disa prej këngëve më të njohura të muzikës amerikane, përfshirë “You’re So Vain”, “Nobody Does It Better”, “Coming Around Again”, “Why” dhe “Legend In Your Own Time”, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës botërore. Edhe përballë sfidave të mëdha shëndetësore, Simon thotë se do të vazhdojë të krijojë muzikë, duke dëshmuar se pasioni i saj për artin mbetet i pandryshuar.
