Në komunikimin për mediat kreu i PD Sali Berisha, deklaroi se Beqiri është mbrojtur për një sërë arsyesh, duke e lidhur atë me biznesmenin Armand Frangu dhe duke ngritur akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama.
Sipas Berishës, një sërë vendimesh të qeverisë janë marrë në favor të Ermal Beqirit, përfshirë, sipas tij, lehtësira fiskale që në praktikë kanë shërbyer për përfitime të klubit të tij.
“Së pari, nuk ka dyshim që Ermal Beqiri u mbrojt, se në shumë e shumë raste ka qenë prestanome i Armand Frangut, emër që sapo ta shqiptoj do të kujtojë të Edi Ramës, kunatit të Linda Ramës, baxhanakut të Edi Ramës.
Për Ermal Beqirin janë një seri vendimesh qeveritare. Mos harroni dhuratën, e cila u krijua e tëra në funksion në pamje të lehtësimit fiskal të kompanive të teknologjisë së lartë. Në të vërtetë, për një zhvatje të turpshme të tyre nga klubi i Ermal Beqirit. Lexoni vendimin, se si ata që paguanin një shumë marramendëse, fitonin platinin në klubin e një banditi e një krimineli. Kjo ishte arsyeja.
Këto ditë kanë qarkulluar foto të Presidentit Macron me Ermal Beqirin. Të jeni të sigurt se atë ia ka servirur Edi Rama, se kurrë Presidenti i Francës nuk mund të kishte dhe nuk mund të kishte një foto me një eksponent si ky. Dhe unë edhe njëherë falënderoj autoritetet franceze që e arrestuan atë.
Është mister fshehja e lajmit nga autoritetet shqiptare gjersa e dhanë mediat franceze. Edhe në këtë rast do të thotë që Edi Rama përpiqej të fitonte kohë për lirimin e tij.
Sikundër kishte bllokuar për muaj të tërë urdhrin e arrestit ndërkombëtar, të blesh avion dhe të regjistrosh avion në Austri në prill dhe në qershor do të thotë që agjencitë e këtyre vendeve nuk kanë pasur asnjë njoftim që kanë dhënë certifikatat për mjetet e blera dhe përdorimin e tyre.”, tha ai.
