George dhe Amal Clooney janë detyruar të largohen nga shtëpia e tyre në Brignoles, në jug të Francës, pasi zjarret e mëdha që kanë përfshirë rajonin kërcënuan edhe pronën e tyre.
Aktori hollivudian, bashkë me bashkëshorten e tij, avokaten e të drejtave të njeriut Amal Clooney, dhe dy fëmijët e tyre binjakë, u evakuuan në fillim të kësaj jave, ndërsa autoritetet urdhëruan largimin e banorëve nga disa zona të rrezikuara.
Në një letër drejtuar kryebashkiakut të Brignoles, Didier Brémond, George Clooney shprehu shqetësimin për fatin e shtëpisë së familjes.
“Në këtë pikë nuk kemi asnjë ide nëse shtëpia jonë e bukur do t’i mbijetojë këtij momenti të tmerrshëm. Ndërsa largohemi nga Brignoles, shpresojmë që ju dhe banorët e qytetit tonë të jeni të sigurt. Unë dhe Amal jemi të përkushtuar që, çfarëdo që të ndodhë, të jemi pjesë e rindërtimit të komunitetit tonë.”
Ai shtoi se familja e tij e konsideron Brignoles shtëpinë e saj dhe se do të ndihmojë në rikuperimin e zonës pas katastrofës.
Familja Clooney bleu pronën në Brignoles në vitin 2021 dhe në dhjetor 2025 mori shtetësinë franceze.
Sipas autoriteteve franceze, të mërkurën në mbrëmje Prefektura e Var urdhëroi evakuimin e disa lagjeve pranë Brignoles, pasi një zjarr i fuqishëm shpërtheu në zonë. Të enjten, banorëve iu lejua të ktheheshin në shtëpi, megjithatë zyrtarët paralajmëruan se temperaturat e larta dhe erërat e forta vazhdojnë të krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e flakëve.
Në një intervistë të dhënë vitin e kaluar për revistën Esquire, George Clooney shpjegoi se vendimi për t’u zhvendosur në Francë lidhej me dëshirën për t’u ofruar fëmijëve të tij, Ella dhe Alexander, një jetë më të qetë dhe larg vëmendjes së paparacëve.
“Nuk dua që ata të rriten të shqetësuar nga paparacët apo të krahasohen vazhdimisht me fëmijët e të famshmëve të tjerë. Në fermën tonë në Francë ata kanë një jetë shumë më të mirë. Nuk qëndrojnë gjithë kohën në iPad, hanë darkë me të rriturit dhe madje lajnë edhe enët,” tha aktori.
Ndërkohë, Evropa vijon të përballet me një sezon shkatërrues zjarresh, të favorizuara nga temperaturat ekstreme dhe erërat e forta.
Në Francë, zjarret kanë detyruar evakuimin e mbi 220 mijë banorëve dhe pushuesve. Zjarri në rajonin e Girondës është konsideruar më i madhi në vend që nga viti 1949, duke djegur rreth 42 mijë hektarë pyje.
Situata mbetet kritike edhe në Greqi dhe Spanjë. Në ishullin e Kretës mijëra persona janë evakuuar për shkak të përhapjes së flakëve, ndërsa dy zjarrfikës humbën jetën pranë Krya Vrysi dhe një tjetër vdiq pranë qytetit portual të Gytheios, gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve.
