Gazetari Klodian Tomorri ka kritikuar paketën fiskale për vitin 2027 të propozuar nga kryeministri Edi Rama, duke i cilësuar masat e prezantuara si propagandë dhe jo si politika që synojnë të sjellin përmirësime konkrete në ekonomi.

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në News24, Tomorri u ndal te propozimet për vendosjen e taksave më të larta për pishinat dhe tarifimin më të shtrenjtë të ujit që përdoret për mbushjen e tyre.

Sipas gazetarit, këto masa nuk do të kenë ndikim domethënës në të ardhurat e buxhetit të shtetit, por synojnë të krijojnë perceptimin se qeveria po ushtron kontroll më të madh mbi pasurinë dhe konsumin e shtresave të pasura.

Ai argumentoi se deklaratat për taksimin e pishinave dhe të influencuesve synojnë të krijojnë imazhin e një politikani të ndjeshëm ndaj shqetësimeve të qytetarëve.

“Ato që propozoi janë propagandë e pastër, ato janë taksa që nuk të sjellin asgjë në buxhet. Të thuash do të vë super çmim për pishinën, kjo është thjesht për të krijuar bindjen e kontrollit…Apo të pasurit do të paguajnë ujin  që mbushim pishinën shumë herë më shtrenjtë. Të gjitha këto deklarata si pishina, influencere ky do t’i shfaqet publikut si politikan i dhimbsur për popullin. Pra nuk synon të bëjë mirë tek ekonomia…”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: