Punonjësit e administratës së Bashkisë Klos kanë protestuar për rreth dy orë përpara godinës së bashkisë, kundër vendimit të qeverisë për bashkimin e Bashkisë Klos me Bashkinë Mat, me qendër në Burrel.
Protestuesit shprehen se, nëse kjo bashki do të shkrihet dhe do të bashkohet me Bashkinë Mat, qytetarët e Klosit nuk do të marrin shërbimet e nevojshme dhe do të kenë më shumë vështirësi për të zgjidhur problematikat e tyre.
Pas qëndrimit për rreth dy orë përpara godinës së bashkisë, protestuesit kanë marshuar nëpër rrugët e qytetit të Klosit.
Ndërkohë, protesta e radhës pritet të nisë në orën 18:00, në qendër të qytetit të Klosit. Në këtë protestë pritet të bashkohen banorë nga të gjitha njësitë administrative dhe zonat e thella të Bashkisë Klos, të cilët kundërshtojnë shkrirjen dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.
Protestuesit deklarojnë se, në rast se vendimi do të miratohet dhe Bashkia Klos do të bashkohet me Bashkinë Mat, ata do të bojkotojnë zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke mos marrë pjesë në votime për asnjë forcë politike.
