Analisti Ilir Kulla ka komentuar transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, duke e lidhur këtë zhvillim me një përplasje politike mes tij dhe kryeministrit Edi Rama për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në News24, Kulla deklaroi se shkaku i vërtetë i konfliktit mund të lidhet me një kërkesë që Rama i kishte bërë Veliajt rreth një muaj më parë, pas shkarkimit të nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.
Sipas analistit, kryeministri i kishte kërkuar Veliajt të delegonte firmën dhe të emëronte si nënkryetar të Bashkisë një personazh të njohur nga shoqëria civile, me synimin për të krijuar një zgjidhje në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.
Kulla pretendoi se Veliaj e kishte refuzuar këtë kërkesë, duke këmbëngulur se nuk do ta delegonte firmën te askush dhe se do të vazhdonte të ushtronte funksionin deri në ditën kur do të largohej nga detyra.
Analisti foli edhe për trajtimin që, sipas tij, Veliaj ka përjetuar gjatë periudhës në burg, duke pretenduar se për një vit e gjysmë nuk i ishte paguar paga që i takonte si kryetar bashkie.
“Unë mendoj q arsyeja reale ka të bëjë me një kërkesë që Rama i ka bërë par një muaji kur u shkarkua nënkryetarja e Bashkisë që duke qenë se Veliaj nuk mund të jetë kandidat për zgjedhjet e ardhshme, i ka kërkuar të emërojë një personazh nga shoqëria civile shumë të njohur, pra Rama ia ka kërkuar Veliajt.
Ai ka kërkuar që në funksion të zgjedhjeve të ardhshme që Presidenti i republikës i dekretoi sot, të delegonte firmën dhe të emëronte nënkryetar një person shumë të njohur publik, të cilin unë nuk do të ja them emrin për arsye personale. Praktikisht Veliaj ka thënë unë firmën nuk e delegoj më tek asnjëri, unë do vazhdoj deri në ditën që jam kryetar bashkie, pasi ju më shkarkuat njëherë dhe u riktheva nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, nuk do delegoj firmën tek asnjëri dhe kjo ka krijuar një përplasje. Veliaj ka thënë jo, dhe po ashtu ka përjetuar në mënyrë shumë të keqe arrogancën dhe agresivitetin me të cilin u përballën pasi për një vit e gjysmë nuk i kishin paguar as rrogën që i takonte si kryetar Bashkie ndërkohë që ishte në burg.
Këtu ka filluar dhe përplasja dhe kemi mbërritur në pikën që është sot, që ai jo vetëm është transferuar duke ia bërë të vështirë familjarëve të vet, dhe në anën tjetër burime që sot citonin zotin Rama ka thënë që Veliaj nuk është më me ne sepse është me protestuesit. Definitivisht Rama ka zgjedhur të distancohet nga Veliaj dhe ta vërë përballë dhe nga ana tjetër ka një problem që është Bashkia e Tiranës, bashkia më e madhe në vend…Betejës juridike i është vendosur edhe një betejë politike që është ajo brenda llojit. Marrëdhënia që kishte kohë që ishte krisur mesa duket ka ardhur drejt fundit të saj edhe politik edhe personal’, tha ai.
