Qytetarë dhe përfaqësues të komunitetit në Klos po mbajnë një protestë kundër planit të qeverisë për riorganizimin territorial, i cili parashikon shkrirjen e 15 bashkive në të gjithë vendin.
Ata janë duke ndjekur këtë zhvillim në News 24, që prej 62 ditësh ka transmetuar Live protestat qytetare.
Ekspertë dhe qytetarë edhe të bashkive të tjera të prekura kanë theksuar se shkrirja e bashkive do të ndikojë negativisht në përfaqësimin e qytetarëve, aksesin në shërbimet publike dhe zhvillimin e zonave lokale.
Në protesta është artikuluar që vendimmarrja të bëhet në konsultim me komunitetet dhe të mos miratohet pa një debat të gjerë publik.
Mbrëmjen e djeshme socialistët e Poliçanit dogjën në shesh teserat e PS po ashtu drejtuesi i PS atje dha dorëheqjen. Edhe në bashki të tjera janë mbajtur apo njoftuar protesta.
Nisma për reformën e re territoriale ka ngjallur debate në disa qarqe të vendit, ku banorët dhe përfaqësues të pushtetit vendor kanë shprehur rezerva për ndikimin që mund të ketë në administrimin lokal dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Këto protesta i bashkohen kështu Revolucionit Flamingo që po mbahet prej 62 ditësh në Tiranë dhe që ka si qëllim kryesor largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
