Greqia po përballet me një nga situatat më të rënda të sezonit të zjarreve, ndërsa flakët kanë përfshirë disa rajone të vendit, duke shkatërruar dhjetëra banesa dhe detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuime masive. Zona më e goditur është Porto Germeno, ku sipas nënkryetarit të Bashkisë së Mandrës, mbi 100 shtëpi janë djegur ose kanë pësuar dëme. Zjarri është ndarë në tre fronte aktive dhe vazhdon të përhapet me shpejtësi, i favorizuar nga erërat e forta.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në disa vendbanime, përfshirë Agia Paraskevi, Kryo Pigadi, Agios Nektarios dhe Livadostra në Beoti, ndërsa flakët kërcënojnë drejtpërdrejt zonat e banuara. Gjatë natës, sistemi i emergjencës 112 u dërgoi mesazhe banorëve të Domvrenës për t’u larguar drejt Thisvis. Operacionet ajrore të shuarjes kanë nisur aty ku kushtet atmosferike e lejojnë, megjithëse erërat e fuqishme po e vështirësojnë ndërhyrjen. Roja Bregdetare evakuoi 12 persona nga plazhi i Porto Germenos në orët e para të mëngjesit.
Flakët po përhapen edhe në Panorama Aigialeia në Akaia, ku janë urdhëruar evakuimet në Arravonitsa, Synania, Agioi Theodoroi, Neo Erineo dhe zona të tjera. Një tjetër vatër e madhe është regjistruar në Skaloma të Fokidës, ku janë angazhuar 28 zjarrfikës, shtatë automjete, shtatë avionë dhe dy helikopterë, ndërsa banorët e zonave Klima, Magoula, Pigi dhe Nea Koukoura janë urdhëruar të largohen. Në Larisa, një zjarr tjetër ka shpërthyer në zonën Kyra Farsala, ndërsa në Achladochori të Serres flakët janë vënë nën kontroll dhe nuk ka më front aktiv.
Zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve, Yiannis Artopoios, deklaroi se kushtet janë jashtëzakonisht të vështira për shkak të erërave të forta, duke theksuar se në disa raste zjarrfikësit “nuk mund të hapnin as dyert e automjeteve”. Ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë pa përjashtim urdhrat e sistemit 112.
Nga ana tjetër, ministri përgjegjës për Mbrojtjen Civile, Evangelos Tournas, bëri të ditur se mekanizmi i emergjencës po operon në kufijtë e kapaciteteve të tij. Sipas tij, dita nisi me 11 vatra aktive zjarri dhe kushtet ekstreme të motit kanë kufizuar edhe përdorimin e mjeteve ajrore. Përballë situatës së rënduar, kryeministri Kyriakos Mitsotakis vizitoi Qendrën e Koordinimit të Departamentit të Zjarrfikësve për të ndjekur nga afër zhvillimet. Sipas autoriteteve greke, rajonet e Atikës dhe Evias mbeten në nivelin maksimal të rrezikut (niveli 5), ndërsa qindra zjarrfikës, dhjetëra automjete, avionë dhe helikopterë vijojnë betejën me flakët në disa fronte njëkohësisht.
