Katy Perry ishte një nga emrat më të mëdhenj të natës së parë të Sunny Hill Festival në Prishtinë, ku performanca e saj spektakolare solli në skenë disa prej hiteve më të njohura të karrierës së artistes amerikane.
Por përveç spektaklit muzikor, vëmendjen e publikut e tërhoqi edhe një tjetër figurë e njohur ndërkombëtare. Ish-kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, u pa në ambientet e festivalit për të mbështetur partneren e tij.
Prania e Trudeau nuk ishte paralajmëruar më herët, por u bë publike pas një fotografie të shpërndarë nga DJ Deezy, një prej artistëve pjesëmarrës në Sunny Hill Festival. Pamja konfirmoi se ish-kryeministri kanadez kishte udhëtuar drejt Kosovës për të ndjekur nga afër performancën e Katy Perry-t.
Katy Perry dhe Justin Trudeau janë përfolur si çift prej rreth një viti. Dyshja u vunë për herë të parë në qendër të vëmendjes gjatë vitit 2025, pas disa daljeve së bashku, përpara se ta bënin publike lidhjen e tyre.
Ndërkohë, Katy Perry ndau me ndjekësit edhe një tjetër moment nga festivali në Prishtinë. Ajo publikoi një video ku shfaqet duke kërcyer krah Dua Lipës, nën ritmet e një prej këngëve të saj të fundit.
“Duke mbyllur Eurosummer 2026 siç duhet, duke bërë ‘Watch It Burn hop’ me motrën time Dua Lipa në Sunny Hill Festival”, shkroi Perry në rrjetet sociale, duke e cilësuar artisten shqiptare si “motër”.
Performanca e Katy Perry-t dhe prania e dy figurave të njohura ndërkombëtare e kthyen natën e parë të Sunny Hill Festival në një nga momentet më të komentuara të këtij edicioni.
