Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shprehet optimist për mundësinë e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin e institucioneve të reja.
Kurti tha se ditët në vijim do të shfrytëzohen për të avancuar bisedimet me LDK-në, në prag të seancës konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar për 6 gusht.
“Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, deklaroi Kurti, duke theksuar se ende nuk mund të parashikohet rezultati i negociatave.
Bisedimet mes dy forcave politike pritet të rifillojnë pas pezullimit të tyre gjatë muajit të kaluar. Në kampin e LDK-së është dhënë gjithashtu sinjal për bashkëpunim me LVV-në, por partia ka vendosur disa kushte për një marrëveshje të mundshme.
Sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, marrëveshja duhet të përfshijë të gjitha institucionet kryesore të vendit, përfshirë Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën. Në tryezë pritet të jenë edhe programi qeverisës, agjenda shtetërore dhe ndarja e përgjegjësive.
Çështja e zgjedhjes së presidentit pritet të jetë një nga pikat më të rëndësishme të negociatave. LVV-ja ka siguruar 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18, dhe një bashkëpunim mes tyre do të krijonte një shumicë të mjaftueshme për të siguruar numrat e nevojshëm në Kuvend.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse të gjithë deputetët e LDK-së do ta mbështesin një marrëveshje me Vetëvendosjen, për shkak të përplasjeve të brendshme në këtë parti.
Nëse Kosova dështon të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh pas konstituimit të Kuvendit, institucioni ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Kjo do të mund të çonte në zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025./Rel
