Marshimi masiv i ditës së 64-të të protestës vijon pa ndalim. Pas përfundimit të fjalimeve përpara godinës së Kryeministrisë, aksioni i qytetarëve ka vijuar drejt rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Mijëra protestues i janë drejtuar rrugëve të Ish-Bllokut, ku po vijojnë lëvizjen me pankarta në duar dhe me thirrje të njëpasnjëshme drejtuar krerëve të politikës.
Zëri i turmës së mbledhur vazhdon të buçasë mes rrugëve të zonës, ndërsa kërkesa mbetet e njëjtë: dorëheqja e kryeministrit dhe llogariadhënia e të gjithë kastës politike.
Turma e protestuesve po vijon korin e thirrjeve “Edi Rama o tradhtar”, “Rama jep dorëheqjen!”, si dhe “Rama në burg, Berisha në burg!”.
Pasi përshkuan bulevardin kryesor, protestuesit po përshkojnë rrugët e Ish-Bllokut, duke mbajtur të gjallë qëndresën e tyre në këtë ditë të 64-të radhazi.
