NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Instituti i Shëndetit Pub lik publikon këshilla për nënat dhe të mirat e ushqyerjes me gji të fëmijëve duke qenë se është Java Botërore e Ushqyerjes me Gji, që është një aksion madhor që zhvillohet çdo vit në rang botëror gjatë muajit gusht. Sipas specialistëve, ushqyerja me gji është mënyrë e pazëvendësueshme e sigurimit të një ushqimi ideal për mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Kjo javë organizohet nga WABA (Aleanca Botërore për Veprim për Ushqyerjen me Gji), me mbështetjen e fuqishme të UNICEF-it dhe OBSH-së. Mesazhi për javën e ushqyerjes me gji këtë vit është: “Ushqyerja me gji – një çelës për zhvillimin e qëndrueshëm”. Në rekomandimet që specialistët e shëndetit publik u japin nënavem është që 6 muajit e parë foshnjat të pinë vetëm qumësht gjiri. Edhe pse jemi në gusht dhe temperaturat janë të larta, bebet nuk kanë nevojë të pinë ujë, pasi u mjafton qumështi i nënës, i cili në përbërjen e tij 88% e ka ujë. Po ashtu, ata theksojnë se vetëm qumështi i gjirit përmban lëndët apo trupëzat mbrojtës. Në bazë të statistikave, rreth 30% e vdekjeve te fëmijët nën 5 vjeç në Shqipëri lidhet me kequshqyerjen, dhe 18% prej tyre mund t’i atribuohen ushqyerjes nënoptimale me gji.
QUMËSHTI I GJIRIT
Qumështi i gjirit “i parë”, 3-4 ditët e para pas lindjes, është si lëng i trashë, i verdhë dhe quhet kulloshtër. Fëmija nuk duhet ta humbasë kulloshtrën pasi ajo është e pasur me proteina, kripëra minerale dhe mbi të gjitha me disa faktorë mbrojtës si imunoglobulina A ose IgA, që mbron aparatin tretës dhe respirator të fëmijës nga viruse, baktere apo substanca “të huaja” që mund të provokojnë reaksione alergjike. Qumështi “i dytë” ose i tranzicionit vjen rreth ditës së 3-4. Ai merr pamje më të qartë, më kremoze dhe të yndyrshme. Në këtë fazë qumështi përmban më shumë sheqerna të domosdoshme për rritjen e indeve cerebrale, dhe yndyrna që shërbejnë si burim energjie. Qumështi përfundimtar vjen brenda 10 ditësh. Ai është tashmë më i lëngshëm dhe me shije më të ëmbël, sepse uji është elementi i tij kryesor. Kjo pamje më e hollë e qumështit nuk duhet t’i bëjë nënat të mendojnë se qumështi i tyre nuk është më i ushqyeshëm. Qumështi i gjirit përmban të gjitha elementet e nevojshme në sasi dhe cilësi, dhe është i tretshëm. Ai përmban: 88% ujë, proteina, yndyrna, sheqerna, vitamina e kripëra minerale dhe përmban lëndët apo trupëzat mbrojtës. Një e mirë tjetër e qumështit të gjirit është edhe ana ekonomike: ai nuk ka kosto, është falas.
USHQYERJA
Për rritjen, shëndetin dhe zhvillimin më të mirë të foshnjës si dhe shëndet më të mirë të nënës, foshnjat duhet të ushqehen vetëm me qumësht gjiri 6 muajt e parë të jetës. Foshnja duhet të vendoset në gji brenda orës së parë pas lindjes, sepse nxit lidhjen shpirtërore mes nënës dhe fëmijës, dhe nxit refleksin e thithjes. Asgjë tjetër nuk i duhet dhënë foshnjës përpara se të nisë të pijë gji. Foshnja duhet të ushqehet në bazë të kërkesës që ka, pra sa herë të dojë dhe aq gjatë sa të dojë. Sa më shumë të thithë fëmija, aq më shumë qumësht prodhohet. Në ditët e para bebi mund ta kërkojë gjirin edhe 10 herë në ditë, por më pas do të stabilizohet në 6-7 herë në ditë, me interval 4 orë gjatë ditës dhe 8 orë gjatë natës. Sipas specialistëve, të ushqyerit vetëm me qumësht gjiri nënkupton që foshnja të pijë vetëm qumështin e nënës dhe të mos pijë asgjë tjetër, as ujë.
Qumështi i gjirit siguron të gjithë ushqimin dhe ujin për të cilin foshnja ka nevojë gjatë 6 muajve të parë. Foshnja nuk ka nevojë për ujë, madje as në një ditë të nxehtë, pasi ujin e nevojshëm e merr nëpërmjet qumështit të gjirit. Nëse një foshnjë pi ujë, do të pijë më pak gji dhe do të jetë më pak e mirëushqyer. Nëse fëmijën e zë gjumi për një kohë më të gjatë se 4-5 orë, nuk duhet zgjuar për ta ushqyer. Nëse është e mundur, foshnja nuk duhet të ushqehet artificialisht. Të ushqyerit artificial çon në një inteligjencë më të ulët, shëndet më të dobët për foshnjën dhe rreziqe shëndetësore për nënën. Fëmijët duhet të ushqehen me gji dhe me ushqime shtesë pas 6 muajve. Qumështi i gjirit mund të sigurojë gjysmën ose pjesën më të madhe të nevojave ushqyese të foshnjës nga 6 deri në 12 muajsh, dhe 1/3 ose më shumë të foshnjës nga 12-14 muajsh.
PËRFITIMET
Qumështi i gjirit është ushqimi ideal për të porsalindurit dhe për foshnjat. Ai u jep foshnjave të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për të cilat ato kanë nevojë për një zhvillim të shëndetshëm. Qumështi i gjirit është i sigurt, përmban antitrupa dhe mbron foshnjat nga sëmundjet e zakonshme të fëmijërisë, siç janë diarreja dhe pneumonia, të cilat janë dy shkaktaret kryesore të vdekshmërisë foshnjore në mbarë botën. Ushqyerja me gji te fëmijët jep edhe përfitime shëndetësore përgjatë jetës. Të rriturit të cilët janë ushqyer me gji, shpesh kanë presion gjaku të ulët dhe kolesterol më të ulët, gjithashtu kanë dhe nivele të ulëta të mbipeshës, obezitetit dhe diabetit të tipit 2, krahasuar me ata të cilët nuk janë ushqyer me qumësht gjiri. Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit të cilët janë ushqyer me gji ka dhënë rezultate më të mira në testet e inteligjencës. ISHP-ja ndër të tjera ka bërë publike edhe disa statistika për ushqyerjen me gji në vendin tonë. “Sipas studimit të fundit kombëtar demografik dhe shëndetësor shqiptar, vetëm 43% e fëmijëve të lindur në 5 vitet e fundit para studimit, kishin filluar ushqyerjen me gji brenda një ore nga lindja. 39% e fëmijëve nën moshën 6 muaj janë ushqyer ekskluzivisht me gji. Rreth 30% e vdekjeve te fëmijët nën 5 vjeç në Shqipëri lidhet me kequshqyerjen, dhe 18% prej tyre mund t’i atribuohen ushqyerjes nënoptimale me gji”, sqarohet në të dhënat e ISHP-së.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)
