Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 36 të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu një qendër tregtare pranë kryeqytetit të Iran, Teheran. Ngjarja ndodhi të martën në qendrën tregtare “Argavan”, në qytetin Andisheh. Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit.
Pamjet e transmetuara nga mediat iraniane tregojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve që luftojnë me flakët, ndërsa re të dendura tymi të zi ngrihen mbi ndërtesën shumëkatëshe.
Sipas IRIB, deri më tani nuk ka asnjë indikacion që ngjarja të jetë e lidhur me situatën e tensionuar apo konfliktet në rajon. Autoritetet vijojnë operacionet në terren, ndërsa bilanci i viktimave mund të ndryshojë në orët në vijim.
