Interi nuk ndalet në merkato. Pas afrimit të John Stones, zikaltërit synojnë të përforcojnë edhe më tej repartin e mbrojtjes, duke vendosur në krye të listës emrin e Cristian Romeros.

Mbrojtësi argjentinas i Tottenhamit konsiderohet profili ideal për skuadrën e drejtuar nga Cristian Chivu, falë eksperiencës së tij në futbollin italian dhe në arenën ndërkombëtare. Sipas gazetarit Fabrizio Romano, Interi dhe Tottenhami kanë arritur një marrëveshje në parim për transferimin e lojtarit, me një vlerë totale prej 40 milionë eurosh, përfshirë bonuset.

Në këtë moment, pengesa e vetme mbetet akordi me vetë futbollistin. Romero kërkon të ruajë pagën prej rreth 6 milionë eurosh në sezon, ndërsa drejtuesit zikaltër janë afruar ndjeshëm me kërkesat e tij gjatë ditëve të fundit.

Megjithatë, Interi nuk pritet të mbyllë operacionin pa zgjidhur fillimisht situatën e Benjamin Pavard. Mbrojtësi francez përfiton rreth 5 milionë euro në sezon dhe klubi synon ta largojë përpara se t’i japë dritën jeshile transferimit të Romeros.

Nëse marrëveshja finalizohet, Chivu do të ketë në dispozicion një repart mbrojtës të frikshëm, ku do të bëjnë pjesë John Stones, Alessandro Bastoni, Yann Bisseck, Manuel Akanji, Carlos Augusto dhe Cristian Romero.

Ndërkohë, sa i takon rinovimeve në shtëpinë zikaltër pas Yann Bisseck, radha i vjen Pio Espositos. Sipas raportimit të Corriere dello Sport, pas rikthimit nga turneu veror, sulmuesi i lindur në vitin 2005 do të firmosë rinovimin e kontratës me Interin deri në vitin 2031.

Kontrata aktuale e Espositos skadon në qershor të vitit 2030, por klubi zikaltër ka vendosur ta zgjasë edhe me një sezon. Futbollisti do të përfitojë një pagë prej rreth 3.2 milionë eurosh në sezon, ndërsa me bonuset kjo shifër mund të arrijë deri në 3.5 milionë euro.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: