Një mesazh i fortë u përcoll nga gazetari i News24, Klevin Muka, gjatë protestës para Kryeministrisë, e cila ka hyrë në ditën e 65-të. Ai iu drejtua veçanërisht qytetarëve të moshës së tretë, duke u bërë thirrje që t’i bashkohen protestës dhe të mbështesin, sipas tij, të ardhmen e brezave të rinj.
Në fjalën e tij, Muka tha se shqiptarët nuk duhet të votojnë kundër interesave të fëmijëve të tyre dhe kritikoi mënyrën se si, sipas tij, është ndërtuar kultura politike në vend. Gazetari deklaroi se qytetarët janë nxitur prej vitesh të votojnë me përkatësi politike dhe jo për interesin e familjeve të tyre.
Ai u bëri thirrje pensionistëve të dalin në protestë dhe të mbështesin brezin e ri. Në fund të fjalës së tij, Muka u ndal edhe te emigracioni, duke theksuar se largimi i popullsisë është një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet vendi.
“Kam një mesazh për gjyshërit tanë. Mos dilni kundër të ardhmes së fëmijëve tuaj. Siç e thotë edhe profesor Susaj, nuk ka popull në botë që çdo 4 vjet voton kundër fëmijëve të vet, apo të korruptuarve para fëmijëve të tyre. Kjo është e tmerrshme. Gjatë gjithë këtyre viteve ju kanë ushqyer që të votoni me tifozllëk. Kundër Saliut apo Ramës. Ju keni votuar vetëm kundër fëmijëve tuaj! Për 10 muaj këta që votoni ju blejnë shtëpitë, ndërsa fëmijët tuaj rropaten rrugëve të kurbetit dhe punojnë tërë jetën, ndërsa këta për 1 vit i blejnë.
Shikojini me vëmendje këto fytyra që janë këtu. Këtu nuk janë korbat dhe sorrat, por fëmijët tuaj. Janë njerëzit më të bukur të Shqipërisë. Dilni në shesh dhe filloni të mbroni fëmijët tuaj, mbesat dhe nipërit tuaj. Këta që janë pas jush vetëm ua largojnë. Siç kanë bërë këto 12 vite, ku janë larguar mbi 1 milion jashtë.
Nuk ka komb në botë që në 36 vite t’i jetë larguar më shumë se gjysma e popullsisë. Ndaj dilni në shesh dhe mbroni jetën e fëmijëve, nipërve dhe mbesave tuaja”, tha ai.
