Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian kanë shprehur mbështetje të plotë për Spanjën pas krizës së fundit me emigrantët në enklavën e Ceutës, duke theksuar se mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së mbetet një përgjegjësi e përbashkët dhe një prioritet i unionit.

Gjatë një videokonference joformale të Këshillit të Ministrave të Brendshëm, ku morën pjesë përfaqësuesit e 27 shteteve anëtare dhe Komisioneri Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, u konfirmua se situata në Ceuta është vënë nën kontroll.

Sipas autoriteteve spanjolle, pothuajse të gjithë emigrantët që hynë ilegalisht në Ceuta javën e kaluar janë kthyer në Marok, ndërsa nuk është regjistruar asnjë lëvizje drejt Spanjës kontinentale apo zonës Shengen. “Situata është nën kontroll. Askush nuk ka hyrë në Spanjën kontinentale dhe zona Shengen nuk është prekur. Flukset migratore janë në rënie dhe këtë vit në BE kanë mbërritur rreth 49 mijë emigrantë, një shifër shumë më e ulët krahasuar me krizën e vitit 2015”, deklaroi Komisioneri Brunner.

Ai theksoi se, megjithëse emigracioni i paligjshëm ndodhet në nivelin më të ulët historik, pamjet dramatike nga Ceuta tregojnë se Bashkimi Evropian duhet të mbetet i bashkuar dhe i gatshëm për t’u përballur me situata të ngjashme. Brunner bëri të ditur se agjencia evropiane FRONTEX ndodhet tashmë në terren dhe, së bashku me Europol dhe agjenci të tjera, po mbështet autoritetet spanjolle në menaxhimin e situatës.

Megjithatë, ai theksoi se është përgjegjësi e Madridit të garantojë që rreth 3 mijë emigrantët që ndodhen ende në Ceuta, kryesisht nga vendet e Afrikës Subsahariane, të mos depërtojnë në territorin e Spanjës dhe të Bashkimit Evropian.

Në deklaratën e përbashkët të miratuar pas takimit, ministrat e Brendshëm shprehën solidaritet unanim me Spanjën, duke vlerësuar reagimin e shpejtë të autoriteteve spanjolle dhe duke shprehur ngushëllime për viktimat që humbën jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin. Shtetet anëtare ritheksuan se kufijtë e jashtëm të BE-së janë përgjegjësi e përbashkët dhe se migracioni kërkon një përgjigje të koordinuar në nivel evropian.

Po ashtu, ministrat ranë dakord të intensifikojnë luftën kundër rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve, të përshpejtojnë procedurat e kthimit të personave që nuk kanë të drejtë qëndrimi, të forcojnë kontrollin kufitar dhe të zgjerojnë bashkëpunimin me vendet e origjinës dhe tranzitit.

Një tjetër pikë e diskutuar ishte përmirësimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm, përfshirë monitorimin e mediave sociale dhe shkëmbimin më të shpejtë të informacionit, me synimin për të parandaluar kriza të ngjashme në të ardhmen. Ministrat theksuan gjithashtu rëndësinë e koordinimit të komunikimit në kohë krize, veçanërisht për të kundërshtuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e aktorëve të jashtëm që mund të shfrytëzojnë situata të tilla për të destabilizuar Bashkimin Evropian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: