Familja e minatorit 40-vjeçar, Ilir Kolaveri, i cili humbi jetën në një galeri kromi në Bulqizë, ndodhet në kushte të vështira ekonomike dhe kërkon mbështetje.
Kolaveri humbi jetën në galerinë e kompanisë “Eternal Security”, pasi gjatë procesit të punës u godit nga një masiv kromi që u shkëput brenda minierës. Pas dy ditësh kërkimesh, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin trupin e tij të pajetë nga nëntoka.
Por për familjen Kolaveri, tragjedia nuk përfundoi me humbjen e 40-vjeçarit. Ai la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë të mitur, pa të ardhura dhe pa një mbështetje të qëndrueshme ekonomike. Të afërmit e tij kanë bërë apel për ndihmë, duke kërkuar që familja të mos përballet e vetme me këtë situatë të vështirë.
Kunata e Ilir Kolaverit, në një apel për BalkanWeb, u shpreh: “Iliri ishte burri i motrës time. Jetojnë në Suç të Matit. Firma ‘Eternal Security’ na ka shpërfillur. Kanë ardhur dhe kanë paguar vetëm shpenzimet mortore, por nuk janë kujtuar më për familjen e të ndjerit. Jemi pa përkrahje. Ka tre fëmijë të mitur, i ka lënë në një situatë shumë të vështirë. Bashkëshortja është pa punë. Kërkojmë ndihmën e shqiptarëve që t’u gjenden pranë me aq sa mundet secili.”.
Familjarët shpresojnë që përmes solidaritetit të njerëzve, bashkëshortja dhe tre fëmijët e minatorit të ndjerë të kenë mbështetjen e nevojshme për të përballuar jetën pas kësaj humbjeje të rëndë.
