Rebelët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë deklaruar se kanë sulmuar një cisternë saudite nafte pranë brigjeve të Yanbu-së, në pjesën veriore të Detit të Kuq.
Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, tha në një deklaratë video se grupi kishte goditur “me sukses” cisternën saudite “Wafa” me disa raketa balistike. Sipas tij, kjo ishte anija e tetë e goditur që nga nisja e asaj që Huthët e quajnë bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, e shpallur më 22 korrik.

Huthët nuk publikuan prova të menjëhershme për sulmin, ndërsa autoritetet saudite nuk kanë konfirmuar deri tani dëmtimin e ndonjë cisternë nafte.
Tensionet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit janë rritur ndjeshëm, pasi Huthët kanë intensifikuar sulmet ndaj anijeve tregtare dhe energjetike, duke pretenduar se veprimet e tyre lidhen me konfliktet rajonale dhe mbështetjen për aleatët e tyre.

Sulmet ndaj trafikut detar në këtë zonë kanë ngritur shqetësime ndërkombëtare për sigurinë e furnizimeve globale me naftë dhe për lirinë e lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme tregtare në botë

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb