Analisti Mentor Kikia, në një bisedë në “Programin e Drekës” në News24 me moderatoren Ola Bruko, e cilësoi protestën qytetare në Tiranë si një zhvillim të pazakontë në skenën politike shqiptare, duke theksuar se ajo ka hyrë në histori si protesta më jetëgjatë dhe më rezistente e viteve të fundit.

Sipas Kikisë, ndryshe nga protestat e organizuara tradicionalisht nga partitë politike, kjo lëvizje qytetare ka arritur të mbijetojë për një kohë të gjatë, duke ruajtur të njëjtin mesazh edhe pse pjesëmarrja ka rënë gjatë muajve të verës.

“Protesta është një zhvillim unik. Është një lëvizje qytetare që i ka rezistuar kaq gjatë kohës. Protestat e zhvilluara nga partitë politike kanë qenë të zakonshme, por asnjëherë nuk kanë zgjatur kaq shumë. Ajo që është quajtur ‘revolucioni i flamingove’ ka hyrë në histori si protesta më rezistente. Jemi në mes të gushtit dhe pjesëmarrja ka rënë në krahasim me qershorin, por besoj se organizatorët po përpiqen ta mbajnë zjarrin ndezur. Në numra protesta është modeste, por në mesazh mbetet e njëjtë, sepse vazhdon ta mbajë gjallë debatin publik dhe politik,” u shpreh ai.

Kikia shtoi se me përfundimin e sezonit veror dhe rikthimin e qytetarëve nga pushimet, pjesëmarrja në protestë mund të rritet gjatë muajit shtator.

Duke komentuar draftin e reformës së re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, analisti tha se protestat që kanë shpërthyer në disa qytete të vogla janë frymëzuar edhe nga lëvizja qytetare në Tiranë.

“Jam i prirur ta ndaj reformën territoriale nga protesta në Tiranë, por nuk mund të mohohet se protesta në kryeqytet ka frymëzuar reagimet në bashki të vogla si Poliçani, Divjaka, Belshi apo Cërriku, të cilat rrezikojnë të shkrihen. Kjo është pozitive, sepse tregon se qytetarët po reagojnë për çështje që i prekin drejtpërdrejt,” tha ai.

Sipas Kikisë, reforma territoriale është një proces me rëndësi të madhe, por nuk po trajtohet me seriozitetin dhe ekspertizën e nevojshme.

“Për fat të keq, kjo reformë nuk po merr kohën, analizën dhe ekspertizën që kërkon. Kam parë pjesë të draftit që ishin formuluar me inteligjencë artificiale. Kjo është e trishtueshme. Pas dështimit të reformës së para 12 viteve, duhej analizuar fillimisht se çfarë nuk funksionoi dhe më pas të ndërtohej një model i ri. Shoh një nxitim nga Partia Socialiste për ta mbyllur këtë proces vetëm sipas vizionit të saj,” deklaroi ai.

Analisti theksoi se nuk është kundër bashkimit të njësive të vogla administrative me bashkitë më të mëdha, madje mendon se numri i tyre mund të reduktohet edhe më tej, por kjo duhet të bëhet mbi bazën e interesit të qytetarëve dhe jo të kalkulimeve politike.

“Pushteti vendor duhet të organizohet në mënyrë më efikase. Partia Demokratike kërkon rritjen e numrit të bashkive, Partia Socialiste uljen e tyre, por asnjëra palë nuk jep argumente bindëse. Fatkeqësisht, harta territoriale po shihet si hartë elektorale dhe jo si një instrument për t’i shërbyer qytetarëve. Nëse reforma vijon pa reflektim, nuk besoj se do t’u vijë në ndihmë qytetarëve,” u shpreh Kikia.

Ai komentoi edhe ardhjen e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, që pritet në muajin shtator, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ambasada amerikane ka pasur ndër vite në zhvillimet politike në vend.

“Prania e një ambasadori është e rëndësishme për autoritetin që përfaqëson diplomacia amerikane në Shqipëri. Ambasada e SHBA-së nuk është thjesht një përfaqësi diplomatike, por ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e brendshme. Shpesh ka qenë institucioni ku palët politike kanë adresuar konfliktet dhe, në disa raste, ka ndërhyrë për t’i ulur ato në tryezë dhe për t’i dhënë fund krizave politike,” përfundoi Mentor Kikia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb