Një sasi e vogël e dyshuar lëndë eksplozive është gjetur në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në derën e një dyqani në lagjen nr. 13, në zonën e Plazhit në Durrës. Dyqani është në pronësi të reperit Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy. Pas konstatimit të lëndës së dyshuar plasëse, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor. Autoritetet kanë nisur veprimet për të dokumentuar ngjarjen, zbardhur rrethanat dhe identifikuar personin ose personat përgjegjës.

Lënda eksplozive ka mbetur e pashpërthyer, ndaj nuk raportohet për dëme apo persona të lënduar. Ky është një tjetër incident i ngjashëm që prek bizneset e reperit. Më 8 qershor 2022, një sasi tritoli iu vendos një dyqani rrobash dhe një lokali në pronësi të tij. Edhe në atë rast nuk pati persona të lënduar. Ngjarjet e mëparshme u lidhën në atë kohë me përplasjet e Noizyt me reperin Kleviol Ahmeti, i njohur si Cllevio Serbiano.

Për shpërthimin e vitit 2022, hetimet vijojnë nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, urdhri për vendosjen e tritolit dyshohet se ka ardhur nga Laert Haxhiu, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për të ashtuquajturën “Masakra e Lushnjës”, ngjarje e vitit 2017. Hetuesit tashmë po punojnë për të zbuluar nëse incidenti i fundit në Durrës ka lidhje me ngjarjet e mëparshme apo bëhet fjalë për një konflikt të ri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: