Policia ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar të vrasjes së 20-vjeçarit Johan Zuko, ngjarje e ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 14 në Korçë. Pas identifikimit të autorit, strukturat e Policisë kanë intensifikuar kontrollet në terren me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij.

Në disa zona janë ngritur postblloqe policie, ndërsa efektivët po kontrollojnë akset rrugore dhe zonat përreth për të parandaluar largimin e të dyshuarit. Në kuadër të hetimit, Policia po mbledh dhe sekuestron kamerat e sigurisë të bizneseve dhe banesave në zonën ku ndodhi krimi, me qëllim rindërtimin e lëvizjeve të viktimës dhe autorit para dhe pas vrasjes. Pamjet pritet të jenë prova të rëndësishme për dokumentimin e dinamikës së ngjarjes.

Sipas informacioneve paraprake, autori dyshohet se e ka ndjekur viktimën, i cili nuk ishte banor i lagjes, dhe e ka kapur brenda një pallati ku i riu kishte tentuar të fshihej. Më pas, dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri. Pas krimit, autori është larguar nga vendngjarja dhe vijon të jetë në kërkim. Forcat e Policisë po vijojnë kontrollet intensive, ndërsa grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave. Hetuesit po punojnë gjithashtu për përcaktimin e motivit të vrasjes dhe nëse autori dhe viktima kishin pasur më herët konflikte apo përplasje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: