Sot bëhet një vit nga 9 gushti 2025, dita kur redaksia e televizionit News24 u nxor me forcë nga ambientet ku ushtronte misionin e vet mediatik që prej krijimit.

Mbushet një vit nga dita kur një prej mediave më të rëndësishme në vend u përball me një ndërhyrje të paprecedentë, kur gazetarët dhe stafi u penguan të hynin në vendin e tyre të punës, transmetimi u ndërpre dhe ambientet e televizionit u rrethuan nga forca të shumta policie dhe ushtrie.

Prej vitesh, News24 ka raportuar dhe denoncuar korrupsionin në qeveri, abuzimin me pushtetin dhe shkeljen e ligjit nga njerëz me pushtet. Ka nxjerrë në dritë të vërteta që shumë të tjerë i kanë shmangur dhe ka mbajtur një qëndrim të pakompromis përballë pushtetit. Ky qëndrim ishte edhe arsyeja pse, një vit më parë, ndaj televizionit u ndërmor një sulm i tillë.

Në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit 2025, gazetarët dhe punonjësit u nxorën nga godina dhe nuk u lejuan të merrnin mjetet e tyre të punës, kompjuterët, dokumentet dhe materialet profesionale. Arkiva dhe materiale të rëndësishme mbetën të bllokuara brenda godinës dhe u zhvendosën me kamionë të ushtrisë.

Një goditje që preku drejtpërdrejt punën e qindra punonjësve të News24, por edhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

News24 pësoi një nga goditjet më të rënda që ka përjetuar një media në Shqipëri, por ajo ditë dëshmoi edhe diçka tjetër, se një televizion mund të nxirret nga godina, por nuk mund t’i nxirret nga shpirti misioni për të informuar.

Pas kësaj goditjeje erdhi ringritja. Brenda një kohe shumë të shkurtër, botuesi i Focus Media News, z. Irfan Hysenbelliu, riorganizoi stafin dhe News24 rifilloi transmetimin.

Në kushte të jashtëzakonshme, në ambiente të improvizuara dhe me mjete minimale, gazetarët dolën në transmetim dhe vazhduan të informonin publikun.

Një vit më pas, News24 nuk është thjesht një televizion që ka mbijetuar. Është një televizion që vazhdon të bëjë atë që bëri edhe në ditët më të vështira, të jetë në terren dhe t’iu japë zë qytetarëve.

Kjo është veçanërisht e dukshme sot, kur prej 71 ditësh, në vend zhvillohet një protestë e pandërprerë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij.

News24 ka qenë aty. Ka ndjekur protestën ditë pas dite, ka transmetuar drejtpërdrejt nga terreni, ka intervistuar protestuesit, organizatorët dhe qytetarët, ka përcjellë kërkesat e tyre dhe ka pasqyruar zhvillimet e saj.

News24 ka zgjedhur t’i japë hapësirë zërit të qytetarëve që protestojnë dhe nga që kërkojnë ndryshim.

Një vit më parë u mbyllën dyert e një godine. Por nuk u mbyll misioni i News24.

Sepse News24 nuk është godina ku punon, nuk janë vetëm studiot, kamerat apo pajisjet teknike. News24 janë gazetarët, operatorët, teknikët dhe të gjithë njerëzit që, edhe në kushtet më të vështira, kanë zgjedhur të vazhdojnë të bëjnë gazetari.

Një vit pas 9 gushtit 2025, News24 vazhdon të transmetojë. Dhe vazhdon të jetë aty ku duhet të jetë një media, pranë qytetarëve, në terren dhe përballë pushtetit.

Sepse fjala e lirë nuk shuhet me forcë. Gazetaria nuk ndalohet duke mbyllur një derë.

Një vit pas sulmit, News24 është ende aty, në terren me qytetarin, me të vërtetën. Misioni vazhdon!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb