Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar problematikat me të cilat përballet Saranda gjatë sezonit turistik, duke akuzuar Bashkinë dhe qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë të planifikimit urban.
Në një reagim, Zhupa shprehet se problemi i Sarandës nuk është mungesa e bukurisë, por mënyra se si po menaxhohet qyteti. Sipas saj, vlerësimet dhe komentet e turistëve në platformat e udhëtimeve janë një “kambanë alarmi” që nuk duhet injoruar.
Sipas deputetes demokrate, komentet e turistëve evidentojnë shqetësime të përsëritura për trafikun, mungesën e parkimeve, mbipopullimin, pastërtinë, plazhet urbane, zhurmën dhe problemet me infrastrukturën. Ajo ngre gjithashtu shqetësimin për ndërtime të shumta dhe pallate të ndërtuara pranë njëri-tjetrit, duke argumentuar se Saranda po humbet karakterin e saj.
Zhupa thotë se turistët bëjnë një dallim të qartë mes bukurisë natyrore dhe funksionimit të qytetit si destinacion turistik: “Natyra është fantastike, por qyteti turistik nuk funksionon mirë.”
Ajo i atribuon Bashkisë Sarandë përgjegjësi për menaxhimin e trafikut, parkimeve, pastrimit, hapësirave publike, plazheve dhe shërbimeve urbane, ndërsa qeverisë i ngarkon përgjegjësi për modelin e zhvillimit, urbanizimin, infrastrukturën dhe politikat turistike.
Në përfundim, Zhupa thekson se Saranda ka nevojë për një model tjetër menaxhimi dhe zhvillimi, duke shtuar se problematikat e evidentuara nga turistët janë të njëjta me ato për të cilat qytetarët e Sarandës janë ankuar prej vitesh.
Postimi i plotë:
Problemi nuk është se Saranda nuk është e bukur, problemi është se po qeveriset keq!
Vlerësimet e turistëve janë një kambanë alarmi që nuk mund të injorohet.
Mjafton të lexosh çfarë shkruajnë vetë turistët në TripAdvisor, Reddit dhe platformat e udhëtimeve për të kuptuar se problemi i Sarandës nuk është mungesa e bukurisë. Përkundrazi, Saranda ka detin, klimën, trashëgiminë kulturore dhe një pozicion gjeografik të jashtëzakonshëm. Problemi është se Bashkia Sarandë dhe qeveria po dështojnë ta kthejnë këtë pasuri natyrore në një eksperiencë turistike cilësore.
TripAdvisor e ka Sarandën rreth 2.8/5, një sinjal që nuk mund të injorohet. Dhe kur lexon komentet, shfaqet një tablo e përsëritur: turistët lavdërojnë detin dhe bukurinë e zonës, por ankohen për trafikun, mungesën e parkimeve, mbipopullimin, pastërtinë, plazhet urbane, zhurmën dhe infrastrukturën. Madje disa turistë flasin hapur për ndërtime pa fund, pallate pranë njëri-tjetrit dhe një qytet që po humbet karakterin e tij.
Turistët po bëjnë dallim shumë të qartë: Natyra është fantastike por qyteti turistik nuk funksionon mirë.
Bashkia Sarandë ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për trafikun, parkimet, pastrimin, hapësirat publike, plazhet dhe shërbimet urbane. Ndërsa qeveria ka përgjegjësi për modelin e zhvillimit, urbanizimin, infrastrukturën dhe politikat turistike që kanë lejuar një qytet të rritet pa u shoqëruar me kapacitetet e nevojshme.
Saranda ka nevojë për menaxhim, turistët po na thonë atë që qytetarët e Sarandës e kanë thënë prej vitesh!
