Ministria e Mbrojtjes ka publikuar informacionin e përmbledhur mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se gjendja paraqitet përgjithësisht e stabilizuar dhe nën kontroll.

Sipas raportimeve të strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, vijon puna në disa vatra aktive, ndërsa zonat e prekura po monitorohen. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun e Tiranës, në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit në Selitë, vijon monitorimi i vatrës së zjarrit. Ndërkohë, në Cikallesh të Kavajës, zjarri i riaktivizuar një ditë më parë mbetet aktiv, por situata nuk paraqitet problematike dhe po menaxhohet nga strukturat zjarrfikëse. Në operacion është dhënë edhe mbështetje nga ajri me mjet të Forcave të Armatosura.

Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.

Në qarkun e Fierit, zjarri në zonën Riban–Ngraçan–Panahor–Ndrenie–Vlosht, në Mallakastër, është aktualisht nën kontroll. Po ashtu, nën kontroll është edhe zjarri që ka avancuar nga Hekali në drejtim të zonës Koilac–Greshicë.

Në qarkun e Durrësit, situata në Abaze të Krujës është stabilizuar dhe zjarri është nën kontroll. Në terren kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla me tym.

Për menaxhimin e situatës në Abaze janë angazhuar dy helikopterë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura me dy mjete zjarrfikëse, si dhe 12 efektivë dhe tre mjete të MZSH Krujë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb