Një aksident trafiku me një të plagosur rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të marte në aksin nacional Delvinë-Sarandë. Ngjarja ndodhi në kthesën për në fshatin Bajkaj, pranë një pike karburanti, ku autobusi i linjës Delvinë-Sarandë, ka përplasur 65-vjeçarin Agim Vocka, banor i fshatit Bajkaj, i cili po lëvizte në këmbë.
Pas aksidentit, drejtuesi i autobusit fillimisht është larguar nga vendngjarja, por është kapur më vonë nga shërbimet e Policisë së Delvinës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Qarkullimit Rrugor Sarandë, të cilat po hetojnë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Nga testi i alkoolit rezultoi se drejtuesi i autobusit nuk kishte konsumuar alkool, me nivel 0.00 mg/l.
I plagosuri është transportuar fillimisht me ambulancë drejt spitalit të Sarandës. Sipas bluzave të bardha, gjendja e 65-vjeçarit është e rëndë.
Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, Agim Vocka është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku do të marrë trajtim të specializuar.
“Rreth orës 08:00, në fshatin Bajkaj, autobusi me drejtues shtetasin V. Z., 53 vjeç, ka përplasur këmbësorin, shtetasin A. V., 64 vjeç, i cili është në gjendje të rëndë. Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e autobusit, pak minuta pas largimit nga vendi i aksidentit, dhe e kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”, sqaron policia.
