Serbia, një nga vendet e fundit evropiane ku rusët mund të hyjnë pa viza, po përgatitet të bashkohet me Zonën Shengen, një veprim që do të kërkonte automatikisht viza për qytetarët rusë, raportoi The Moscow Times.

Ministri serb i Integrimit Evropian, Nemanja Staroviç, tha se qëllimi i Beogradit është të jetë gati për t’u bashkuar me Zonën Shengen deri në fund të vitit 2027.

Ai tha se qeveria ka krijuar tashmë një grup pune të posaçëm të udhëhequr nga Ministria e Brendshme dhe ka miratuar një plan për reformat e nevojshme. Serbia planifikon të bashkohet me Zonën Shengen pa u bërë më parë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, gjë që Staroviç tha se është e pamundur para fundit të dekadës.

Dragan Stanojević, kreu i Komitetit të parlamentit serb për Diasporën dhe Serbët në Rajon, konfirmoi gjithashtu se Serbia po diskuton ndryshime në politikën e saj të vizave ndaj Rusisë.

Ai tha se futja e mundshme e vizave po shqyrtohet si pjesë e përpjekjeve për të përmbushur kërkesat e BE-së.

Qytetarët rusë aktualisht mund të hyjnë në Serbi pa vizë dhe të qëndrojnë në vend deri në 30 ditë. Beogradi ka nisur negociatat për anëtarësim në BE që nga viti 2014.

Në prill të vitit 2026, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se vendi synonte të përmbushte deri në fund të vitit kriteret e nevojshme për të bërë përparim të mëtejshëm drejt integrimit evropian, duke përfshirë politikën e migracionit dhe vizave.

Në tetor 2025, Vuçiç e përshkroi anëtarësimin në BE si një përparësi të politikës së jashtme për Serbinë. Megjithatë, në atë kohë, ai hodhi poshtë raportet se Serbia mund t’i jepte fund udhëtimit pa viza për qytetarët rusë.

Në qershor, presidenti tha se çështja as nuk ishte shqyrtuar në Serbi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb