Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të forta ndaj zhvillimeve në rajon, duke kritikuar deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për qëndrime dhe veprime në dëm të interesave shqiptare.
Berisha i cilësoi deklaratat e Vuçiçit si “destabilizuese”, ndërsa theksoi se ato janë dënuar edhe nga Bashkimi Evropian.
Sipas tij, ujërat dhe lumenjtë e Kosovës nuk mund të preken nga askush, ndërsa liqenet e ndërtuara gjatë periudhës së Titos nuk mund të trajtohen si pasuri që mund të përdoren në kundërshtim me interesat e Kosovës.
Berisha paralajmëroi gjithashtu se përdorimi apo kërcënimi me armë të tilla përbën një qëndrim kundër paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në një pjesë tjetër të deklaratës, lideri demokrat ashpërsoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Berisha tha se Rama nuk mund të “lajë” atë që ai i cilëson si “shërbime antishqiptare”.
“Rama nuk mund të lajë shërbimet antishqiptare që ka bërë. Ai ka vrarë votën e lirë dhe shpresën, sepse ka kryer gjenocid të butë”, u shpreh Berisha.
Më tej, kreu i PD-së ngriti pyetjen nëse Rama mund të “purifikohet” nga ato që i cilësoi si akte të rënda tradhtie.
“Jo, nuk mundet, sepse ka kryer aktet më të rënda të tradhtisë”, deklaroi Berisha.
Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa çështjet që lidhen me Kosovën, marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe qëndrimet e qeverisë shqiptare vijojnë të jenë pjesë e debatit politik.
“Deklaratat e Vuçiçit janë destabilizuese dhe janë dënuar edhe nga Bashkimi Evropian. Racizmi dhe barbaria kanë arritur nivele mitologjike, duke harruar se ekziston e drejta ndërkombëtare.
Ujërat dhe lumenjtë në territorin e Kosovës nuk mund t’i prekë askush. Liqenet janë ndërtuar gjatë periudhës së Titos dhe nuk mund të trajtohen si pasuri që mund të përdoren sipas interesave të dikujt tjetër.
Përdorimi apo edhe kërcënimi me përdorimin e armëve të tilla, nga kushdo që i imagjinon ato, është një akt që bie ndesh me paqen dhe stabilitetin në rajon.
Rama nuk mund t’i fshijë apo t’i justifikojë shërbimet antishqiptare që ka bërë. Ai ka vrarë votën e lirë dhe shpresën e qytetarëve, sepse ka kryer “gjenocid të butë”.
A mundet Rama të purifikohet nga aktet e rënda të tradhtisë?
Jo, nuk mundet, sepse janë akte që cilësohen si ndër më të rëndat e tradhtisë”, tha ai.
