Një protestues, gjatë fjalës së tij përpara Kryeministrisë, e ka vënë rininë në qendër të mesazhit të tij, duke theksuar se pa të rinjtë nuk mund të ketë një të ardhme për Shqipërinë. “Pa rini nuk ka Shqipëri. Ata janë arsyeja që vendi ynë duhet t’i kalojë këto vështirësi”, u shpreh ai.

Sipas protestuesit, të rinjtë shqiptarë janë të informuar dhe e kuptojnë rëndësinë e institucioneve të pavarura për të ardhmen e vendit. “Rinia jonë nuk është e painformuar. Ajo e di se pa pavarësinë e gjyqësorit nuk ka shtet ligjor apo ekonomi të mirëfilltë, zhvillimore”, deklaroi ai. Ai paralajmëroi se, në mungesë të këtyre parimeve, demokracia rrezikon të deformohet.

“Pa këto, demokracia rrezikon të shndërrohet në atë që është sot, hibrid mes oligarkisë dhe autokracisë”, tha protestuesi. Në vijim, ai theksoi se beteja e qytetarëve nuk duhet të kufizohet vetëm te protestat, por te vendosmëria për të qëndruar në Shqipëri dhe për të kërkuar ndryshimin.

“Beteja jonë nuk është vetëm të protestojmë, por të kemi guximin të qëndrojmë. Pyetja është: a do ta ndërtojmë këtu të ardhmen, apo të ikim diku tjetër?”, u shpreh ai. Në fund, protestuesi tha se mbetet optimist dhe beson se rruga e duhur është që të rinjtë të zgjedhin të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre. “Unë mendoj si optimist se rruga e duhur është që të qëndrojmë”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: