Një mësues, i pranishëm në protestën përpara Kryeministrisë, ka folur për emigrimin e të rinjve, duke e lidhur largimin e tyre me mungesën e dinjitetit, barazisë dhe mundësive në Shqipëri. “Pse rinia po ikën sot? Është çështje dinjiteti. Me barazi mund të ndërtonim të ardhmen këtu. Rinia nuk po ikën për një pagë më të lartë, por po ikën për një mundësi më shumë”, u shpreh ai.
Sipas mësuesit, është koha që qytetarët të lënë pas ndasitë dhe të bashkohen për të kërkuar ndryshime. “Është koha që të bëhemi të gjithë bashkë, të lëmë pas ndasitë. Shkaktarët e kësaj gjendjeje nuk duhet t’i kërkojmë te faktorët e jashtëm. Të ulemi dhe të bëjmë diskutimet tona për të rrëzuar këtë klasë politike”, deklaroi ai.
Mësuesi iu drejtua më pas edhe shqiptarëve të diasporës, duke u bërë thirrje të mbështesin protestën dhe të bashkohen me kauzën e qytetarëve.
“Një thirrje kam për mërgatën tonë: na mbështesni, bashkohuni me ne. Do të doja që të gjithë të na bashkoheshin. Duam t’ju bëjmë një thirrje madhështore: ejani të bëhemi të gjithë bashkë, t’i japim fund tranzicionit”, tha ai.
Në fund, apeli i tij ishte për kolegët në arsim dhe intelektualët, të cilëve u kërkoi të mos qëndrojnë vetëm në rolin e spektatorit.
“Dua t’u bëj një thirrje kolegëve të mi, mësues, arsimtarë, pedagogë, intelektualë. Jo vetëm të flisni, por duhet të veproni. Kjo fushëbetejë ka nevojë për daljen tuaj. Mos qëndroni spektatorë. Bashkohuni”, u shpreh mësuesi.
