Një i ri, gjatë protestës përpara Kryeministrisë, ka ngritur shqetësimin për vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë se ka krijuar një realitet ku aftësia dhe puna nuk mjaftojnë për të ecur përpara. “Ne morëm diploma. Punojmë ditë e natë, por po përballemi me një realitet që ka krijuar kjo qeveri. Një Shqipëri që shumë të rinjve nuk iu mjafton të jenë të aftë, por duhet të njohësh dikë, apo të heshtësh për të ecur para. Kjo është tragjedia”, u shpreh ai.

Sipas të riut, kur puna dhe merita nuk shpërblehen, vendi humbet të rinjtë, talentin dhe besimin. “Kur një qeveri nuk shpërblen të zotët, por të paditurit, vendi humb talentin, besimin, rininë. Sa të rinj janë larguar? Jo se nuk e donin Shqipërinë, por se u lodhën duke trokitur dyerve”, deklaroi protestuesi.

Ai tha se të rinjtë kërkojnë një vend ku puna dhe aftësia të kenë më shumë vlerë se njohjet personale. “Duam një Shqipëri ku puna vlen më shumë se njohja, ku dinjiteti nuk shitet për një vend pune. Rinia nuk kërkon favore, por drejtësi!”, tha ai.

Në vijim, i riu kritikoi qeverinë për kushtet që, sipas tij, po i vendosin të rinjtë përballë zgjedhjes mes nënshtrimit dhe emigrimit. “Një qeveri që i detyron të rinjtë të zgjedhin mes nënshtrimit dhe largimit, e përzë atë”, u shpreh ai.

Në fund, ai u bëri thirrje të rinjve që t’i bashkohen protestës. “Iu bëj thirrje të rinjve: hajdeni në shesh! Ku jeni? Hajdeni këtu të protestojmë kundër një qeverie antishqiptare që po na e shet çdo ditë vendin”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: