Tensionet janë përshkallëzuar në fshatin palestinez Kusra, në Bregun Perëndimor, ku ushtarë izraelitë kanë marrë pozicione brenda disa shtëpive palestineze, ndërsa banorët pretendojnë se familjet janë mbajtur të bllokuara nga kolonë izraelitë.

Sipas kryetarit të bashkisë së Kusrës, Abed Al-Ateem Wadi, gjashtë shtëpi janë evakuuar dhe më pas janë zënë nga forcat izraelite. Mes tyre janë edhe tre banesa ku, sipas banorëve, kolonët kishin ngritur një tendë dhe kishin bllokuar hyrje-daljet. Rrethimi kishte nisur gjatë fundjavës, ndërsa kolonët dyshohet se kishin ndërprerë edhe furnizimin me ujë dhe energji elektrike të disa familjeve. Dy familjet e mbetura në zonë janë grumbulluar në njërën prej banesave dhe pretendojnë se nuk kanë ushqime dhe ilaçe të mjaftueshme.

Kombet e Bashkuara thanë se rreth 15 palestinezë, përfshirë dy fëmijë, ishin të bllokuar në shtëpitë e tyre dhe pa akses në ujë apo energji elektrike. Ushtria izraelite deklaroi se forcat e saj janë vendosur në Kusra për të “mbrojtur banorët dhe ruajtur sigurinë”, duke u kërkuar palestinezëve të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre.

Ushtria mohoi gjithashtu se do të hynte në një prej shtëpive pranë vendit ku ishte ngritur tenda e kolonëve, e cila më pas u evakuua dhe u çmontua. Një ditë më herët, forcat izraelite kishin përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të larguar kolonët nga zona. Ushtria tha se kishte dërguar trupa shtesë për patrullime dhe misione mbrojtëse.

Një video e publikuar gjatë javës ka shkaktuar reagime, pasi shfaq burra izraelitë me uniforma ushtarake duke marrë pjesë në lutjet e mëngjesit bashkë me kolonët. Ushtria tha se do të ndërmarrë masa disiplinore ndaj çdo ushtaraku që mund të ketë qenë i përfshirë.

Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, deklaroi se ushtria dhe policia izraelite kishin ndërhyrë pas kërkesës së SHBA-së për largimin e personave që ai i cilësoi si “terroristë izraelitë”. “Ajo që po i bëjnë shtëpisë së kësaj familjeje është kriminale”, deklaroi Huckabee. Ndërkohë, palestinezët akuzojnë autoritetet izraelite se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar dhunën dhe marrjen e tokave nga kolonët në Bregun Perëndimor.

Bregu Perëndimor, i pushtuar nga Izraeli që prej vitit 1967, është shtëpia e rreth 3 milionë palestinezëve dhe 500 mijë kolonëve izraelitë. Sipas organizatës izraelite Peace Now, në territor ndodhen rreth 146 vendbanime dhe qindra struktura më të vogla.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: